VV akuzon Qeverinë për favorizim të kompanisë “Dukagjini”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu dhe anëtari i saj, Avni Zogiani, sot përmes një konference për media, kanë bërë të ditur se qeveria po planifikon shpronësimin e një prone në kryeqytet, e cila kap shumën prej 55 milionë eurove.

Sipas tyre, ky objekt 40 mijë metra katror, po planifikohet që të përdoret për administratën e qeverisë.

Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu ka thënë se Ministria e Administratës Publike fillimisht kishte bërë inicimin e më pas është dërguar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, ku siç deklaroi ai, është bërë i qartë edhe përfituesi.

Ai tha se bëhet fjalë për ndërtesën tek rrethi në Prishtinë, e cila është në pronësi të kompanisë ‘Dukagjini’.

“Është detyrë e jona që të tërheqim vërejtjen sepse Kosova nuk e ka luksin të shpronësojë ndërtesa të gatshme. Në bazë të planeve hapësinore të komunës së Prishtinës, planet rregulluese “Prishtina e Re” janë sipërfaqe të shumta në pronësi të qeverisë, të cilat janar paraparë për objekte qeveritare. Në bazë të këtij plani është ndërtuar edhe Pallati i Drejtësisë i cili ka vlerë mbi 25 milionë euro. Ne po e dimë që s’ka fare plan dhe janë duke vepruar vetëm në bazë të agjendave të profitit të kompanive të mëdha në vend”, ka thënë ai.

Tutje Aliu, ka shtuar se Qeveria PAN synojnë të japin 55 milionë euro për një ndërtesë e cila nuk përputhet me asnjë interes publik.

Ai theksoi se do të kërkojnë nga Qeveria që të ndërpresin menjëherë procedimin e mëtejmë të shpronësimit.

Në anën tjetër, anëtari i VV-së, Avni Zogiani ka thënë se po flitet për një ‘megaskandal në përgatitje’.

Ai thotë se bëhet fjalë për pronën e cila është shitur rreth dy milionë euro.

“Marrëdhënia klienteliste e PAN qeverisë me këtë grup interesi nuk është e re, ka histori. Kjo marrëdhënie është konfirmuar me qindra herë. Ky entitet i ka pasur borxh Qeverisë së Kosovës 16.2 milionë euro, e ky borxh asnjëherë nuk është kolektuar apo mbledhur. Historiku klientelist vazhdon edhe më tutje. Qeveritë e prira nga PDK dhe AAK kanë shpërblyer këtë grup interesi edhe me tenderë të tjerë. Vetëm afera e librave që i merr ky grup interesi edhe përkundër faktit që profesionistët kanë konstatuar shumë probleme me literaturën”, ka thënë ai.