VV akuzon mikun e zv/kryeministrit Hoxhaj për keqpërdorim të 1.5 milion eurove

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie lidhur me rastin e fundit të aferës “Shahini” si dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë për Sistemin Informativ Shëndetësorë.

Jusuf Ulaj, anëtar i Komiteti për Shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje, tha që miku i zëvendësministrit Enver Hoxhaj, Imer Shahini është një nga personat i cili ka keqpërdorur 1.5 milion euro të buxhetit për SISH.

“Kjo konferencë e sotme ka të bëjë me të vërtetën dhe faktet për të cilat ju kemi paralajmëruar shumë më herët. Më 12  mars Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për skandalin për shërbimin informativ dhe ndërlidhjen e mikut të Enver Hoxhajt si dhe Imer Shahinit. Faktet dhe kontrata e cila është nënshkruar nga miku i tij në vlerë prej 1.5 milion euro për avancimin e SISH, paret janë dhënë ndërsa përmirësimet nuk i pamë kurrë. Mardje ky së bashku me shumë persona akuzohen për përfitimin e paligjshëm të 20 milionë dollarëve”, tha ai.

Tutje Ulaj tha se Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kërkuar llogari për keqpërdorimet që kanë ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Mos zbatimi i projektit të Sistemit Informativ shëndetësorë po i lë qytetarët pa sigurime shëndetësore nuk ka të dhëna për pacientët, nuk ka menaxhim të barnave e zbatim të protokoleve, nuk ka ndalje të hajnisë e korrupsionit. Ne nuk do të ndalemi që të kërkojmë përgjegjësi se ku kanë shkuar gjithë ato mjete që janë ndarë nga viti 2008 e tutje. Është e pafalshme për Ministrinë e Shëndetësisë që ky projekt të anashkalohet dhe të mos ketë fare transparencë se çfarë ka ndodhur brenda ministrisë për këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa anëtari tjetër nga ky komitet, Mirsad Shkreta, tha se nga të gjitha këto keqpërdorime pësojnë qytetarët e Kosovës të cilët nuk mund të marrin shërbime efikase shëndetësore.

“Nuk është ideja që lidhja familjare apriori paraqet problem, mirëpo ne kemi paralajmëruar që mënyra sesi po realizohet ky projekt nuk është i duhuri. Raporti i auditorit i vitit 2017 e konstatoi keqpërdorimin. Këto lloj qasjesh ku qytetarët tanë mund të realizojnë vetëm 40% të shërbimeve në spitalet tona”, tha ai.

Tutje Shkreta tha që skandali në të cilin është i përfshirë miku i zëvendësministrit Hoxhaj tashmë është i ditur, dhe nga ky skandal deri më tani janë keqpërdorur 20 milionë euro fonde.

“Keqpërdorimi tashmë është i faktuar dhe është i hapur në Ministrinë e Shëndetësisë. Nëse i mbledhim, i gjithë fondi që ka shkuar për sistem informativ shëndetësorë kap vlerën 20 milionë euro”, theksoi ai.

Imer Shahini, vëllai i gruas së zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, Remzije Shahini është arrestuar gjatë ditës së djeshme pas një urdhër arresti ndërkombëtar.