Arma e konfiskuar

Vushtrri, 5 të arrestuar për armë

Pesë persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje janë arrestuar pas një operacioni policor të Sektorit të Hetimeve Rajonale, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë.

Policia përmes një komunikate ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është bërë bastisje në katër shtëpi  dhe lokacione të ndryshme në Vushtrri me ç’ rast si të dyshuar për armëmbajtje pa leje janë arrestuar pesë persona.

Sipas Policisë, si rezultat i bastisjeve gjatë kontrollit në shtëpitë  e të dyshuarve janë gjetur katër armë dhe municion i ndryshëm.

Policia ka njoftuar se ka konfiskuar tri pistoleta, një pushkë gjuetie, 73 fishekë për pistoletë dhe 62 fishekë të pushkës së gjuetisë.

Ndaj  personave të dyshuar, janë iniciuar rastet ‘’mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’, ndërsa pas procedurave intervistuese  me urdhër të prokurorit të rastit  të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt.