Vulin dënon deklaratën e ambasadorit amerikan për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, e dënoi deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, i cili e quajti Kosovën shtet sovran.

Vulin tha se Scott “ka harruar se Serbia nuk është koloni” dhe se “nuk mund të shkelë dinjitetin e saj”.

Të hënën, Scott, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një takim për çështje ekonomike, tha se SHBA “e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.

“Më vjen keq që ambasadori Scott nuk u përpoq të tregonte arrogancën e tij në ndonjë rast me presidentin (Aleksandar) Vuçiq, sepse ai do të fluturonte nga qeveria”, tha Vulin, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Nga kabineti i kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, iu tha Radios Evropa e Lirë se kryeministrja nuk i komenton deklaratat e anëtarëve të qeverisë në media.

Radio Evropa e Lirë në Beograd kërkoi komente edhe nga presidenti i Serbisë dhe ambasada amerikane.