Aleksandar Vuçiq. Foto: Beta/Sasa Djordjevic.

Vuçiq: Të Provojmë ta Zgjidhim Nyjën Kosovare

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një shkrim autorial të botuar në Gazetën beogradase Blic kur ka folur për Kosovën është paraqitur më realist.

Ai ka kërkuar që serbët të mos e fusin kokën në rërë si makushi, por të përpiqen të gjejnë zgjidhje për Kosovën.

“Është koha që si popull të ndalojmë ta fusim kokën në rërë si makushi, të provojmë të jemi realë. Të mos lejojmë të humbim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që e kemi, por të mos presim që do të na vijë përdore ta kthejmë atë që moti e kemi humbur”, shkroi Vuçiq, sipas medieve serbe.

Vuçiq më tutje ka thënë që është koha që Serbia të punojë, mendojë dhe fitojë pa konflikte.

“Zgjidhja nuk qëndron në mitet tona dhe përleshjet, por në anën tjetër nuk qëndron as mohim dhe tërheqje nga të gjithë interesat tanë nacionalë e shtetërorë”, shkroi më tutje Vuçiq.

Ai në editorialin e tij për Blic deklaroi edhe se Serbia nuk është për t’u nënçmuar, edhe pse bëri të ditur se shqiptarët për zbatimin e ideve të tyre nacionale kanë përkrahjen e vendeve perëndimore.

Vuçiq më tutje konstatoi se për ecjen përpara të Serbisë është e domosdoshme zgjidhja e problemit të Kosovës.

“Në mënyrë që përparimi ynë të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm, duhet që nëse asgjë tjetër të paktën të përpiqemi ta zgjidhin nyjën gordiane të Kosovës dhe jo të fshihemi dhe barrën më të rëndë t’ua lëmë fëmijëve tanë “, shkroi Vuçiq.