Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/European Council

Vuçiq: Serbia e gatshme për dialog me Kosovën në çdo situatë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Kosovën në çdo situatë.

“Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut, edhe në situatën e tensioneve të rritura politike dhe të sigurisë, sidomos për serbët e Kosovës”, tha Vuçiq në një takim me udhëheqësin e një delegacioni të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, të hënën në Beograd.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq e informoi Kukanin për arsyet e ndërprerjes së dialogut me Prishtinën, duke thënë se kjo e fundit nuk i ka përmbushur detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen e Brukselit, sidomos rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq thuhet se shprehu shqetësimet e tij me synimin e Prishtinës për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe tha se një gjë e tillë do të destabilizojë situatën në rajon.

Vuçiq po ashtu tha se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian paraqet prioritet në poltikën e jashtme të Serbisë.

Kukan, në anën tjetër, vlerësoi, siç tha ai, përparimin ekonomik të Serbisë dhe tha se investitorët e huaj janë të kënaqur me klimën e biznesit në Serbi.