Vuçiq për FSK: Amerika qëndron prapa gjithë kësaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të premten se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, “ka plotësisht të drejtë” kur thotë se Amerika, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, do të jetë në anën e Kosovës edhe pse, sipas tij, Prishtina e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Një ditë pasi ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett deklaroi se Kosova ka të drejtë ta ketë forcën e vet mbrojtëse, Vuçiq tha se është e qartë që “SHBA qëndron prapa shqiptarëve dhe se ata asnjëherë nuk kanë punuar vetëm”.

“U pa qartë se SHBA qëndron prapa gjithë kësaj. Nuk ka qenë ndonjë fshehtësi e madhe që nuk duhet ta themi këtë hapur. Ata kanë shumë aleatë në Europë. Për këtë arsye ne duhet të orientohemi në fabrika, të ardhme dhe të fitojmë mençur. Të fitojmë ushtarakisht ndaj Amerikës as mos e çoni në mend”, tha Vuçiq.