Takimi Merkel- Vuçiq | Foto: Facebook

Vuçiq- Merkel-it: Serbia të Mos Jetë Humbësja e Vetme

Pas takimit me Angela Merkelin në Berlin, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, sipas televizionit publik serb, tregoi çfarë i ka thënë nikoqires së tij, sidomos në lidhje me Kosovën.

“I kam thënë asaj se më e rëndësishme është ta duash vendin e fëmijëve të tu, sesa atë të paraardhësve, neve na është e rëndësishme e ardhmja. Jemi të gatshëm për kompromis. Që të dy palët diçka të humbin. Për popullin nuk është e pranueshme që Serbia të jetë humbësi i vetëm”, tha Vuçiq, sipas RTS-së.

Vuçiq tha se Serbia e di sa të vështira janë detyrat që ndodhen para saj, duke përmendur marrjen me kapitujt 23 dhe 24 dhe pengësën e vështirë të përmirësimit të raporteve mes Prishtinës e Beogradit.

Edhe kancelarja Merkel përmendi marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën.

“Bisedimet për anëtarësim mund të jenë të suksesshme nëse reformat zhvillohen më tutje në drejtim të fushës së sundimit të ligjit dhe në dritën e çështjes së marrëdhënieve me Kosovën”, tha Merkel, sipas televizionit publik serb.

Pyetjes nëse marrëveshja e obligueshme ligjërisht nënkupton njohjen e  Kosovës nga Serbia, kancelarja gjermane iu përgjigj se sa u përket pritjeve në lidhje me Kosovën “Nuk është ajo që do të porosisë çfarë duhet të ndodhë dhe çfarë është e dëshirueshme të bëhet”.

Merkel tha se vlerëson punën e Vuçiqit në lidhje me bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit

“Vlerësoj punën e Aleksandar Vuçiqit sa i përket bashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe i dëshiroj atij sukses në këtë çështje që nuk është gjithmonë e lehtë”, tha Merkel.