Foto: Tanjug, Dragan Kujundzic

Vuçiq: Kundërmasat ndaj Kosovës do të dihen pas Vidovdanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur sot rreth vendosjes së kundërmasave ndaj taksave të Kosovës.

I pyetur nëse është hequr dorë nga vendosja e paralajmëruar e taksave kundër Prishtinës, Vuçiq tha se lidhur me këtë çështje do të bisedojë me serbët nga Kosova dhe se vetëm pas ditës së Vidovdanit, kur serbët kremtojnë betejën e humbur të Kosovës, do të dihet se në cilën mënyrë do të ndërmerren masat.

Siç tha ai, çështja e kundërmasave është serioze dhe se nuk bëhet fjalë për kërcënime të përditshme.

“Do të doja që mos ta bëjmë këtë, por nëse jemi të detyruar dhe nëse nuk ka progres, do të flasim me partnerët ndërkombëtarë dhe  do të duhet ta bëjmë atë,” tha Vuçiq.

Ai përsëriti se situata është e komplikuar dhe e vështirë për Serbinë.

“Kur të flasim përsëri me përfaqësuesit e popullit tonë, menjëherë pas Vidovdanit, do të shohim se çfarë dhe si mund të marrim masa”, përfundoi Vuçiq./21Media