Foto: Tanjug, Dragan Kujundzic

Vuçiq: Kosova do të ketë sovranitet të plotë në të ardhmen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Kosova në të ardhmen do të ketë pavarësi dhe sovranitet në tërë territorin e saj, jo për shkak se ai do ta njohë, por për shkak se nuk kishte kaluar zgjidhja që ai e kishte ofruar, por pa specifikuar atë që ai u ofroi të gjithëve.

Sipas tij, atë që ai e kishte ofruar, nuk ka kaluar për shkak të “presionit të tmerrshëm të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre informative të cilat i aktivizuan të gjitha agjenturat politike, mediale e të tjera nëpër vende të ndryshme”.

Presidenti serb, në vazhdim e ka kritikuar opozitën se nuk ka dashur t’i dëgjojë propozimet e tij për Kosovën, por vetëm ka vazhduar protestat kundër tij.

“Ju pyes cila është zgjidhja për Kosovën pos asaj se ajo në të ardhmen, jo me dëshirën time dhe jo pse unë do ta njoh, do ta ketë pavarësinë dhe sovranitetin e plotë në tërë territorin e vet dhe prandaj do t’i pyes shumë nga ata që kanë protestuar dhe kanë folur shumë gjëra, pse e keni bërë këtë dhe si është e mundur që nuk e vërejtët realitetin dhe që e penguat mundësinë që Serbia të nxjerrë diçka për popullin dhe vendin e vet”, e ka akuzuar ai opozitën./21Media