Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/EPA

Vuçiq: Ivanoviqi Kishte Probleme me Biznesmenin Serb të Kosovës

Aleksandër Vuçiq tha të hënën në mbrëmje se Oliver Ivanoviq, i cili u qëllua për vdekje në janar dhe biznesmeni vendas Milan Radojçiq, i cili është përshkruar nga mediat serbe si pushteti i vërtetë në veri të Kosovës, për shumë vite me radhë kanë pasur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

“E dija për konfliktet e tyre në veri të Kosovës. Ishte e qartë se dyshimi për vrasjen e Ivanoviqit do të binte mbi Radojçiqin”, tha Vuçiq për kanalin serb Happy TV, sipas Insajder-it.

Vuçiq tha se nuk kishte folur kurrë me Radojçiqin, i cili ka biznese në Serbi dhe në veri të Kosovës, por ai mund të ketë marrë pjesë në një takim ku ka qenë i pranishëm edhe biznesmeni.

Ai tha se konflikti midis Radojçiqit dhe Ivanoviqit ka vazhduar “që nga viti 2000”.

Pas vrasjes së Ivanoviqit muajin e kaluar një tjetër politikane serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, tha se Radojçiq mban pushtetin e vërtetë në pjesën më të madhe të Mitrovicës Veriore.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, shumë prej tyre kanë spekuluar se për këtë duhet të fajësohen organizatat kriminale serbe nga veriu i Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë gjithashtu se vrasja nuk kishte motive etnike.

Ivanoviq ishte kreu i Nismës “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”, e cila ishte kundër partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës.

Ai u qëllua për vdekje më 16 janar, përpara zyrave të partisë së tij në Mitrovicën veriore. Vrasja e tij u dënua nga Serbia, Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar.

Ivanoviqi kishte thënë disa herë se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe kishin kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë rezultat.

Serbia dhe Kosova janë zotuar të shkëmbejnë informacione mbi çështjen, por bashkëpunimi ka qenë i ngadaltë.

Partia e Ivanoviqit e ka kritikuar Policinë e Kosovës për mënyrën se si është kryer hetimi. Dy policë janë arrestuar se kanë ndërhyrë te provat në vendin e ngjarjes.

Një dokument gjyqësor i siguruar nga BIRN zbuloi se policët e pranuan se kishin prekur provat, edhe pse kjo ishte bërë “nga padituria dhe mungesa e trajnimit dhe jo me dashje”.

Në kohën e vdekjes, Ivanoviqi po rigjykohej nën dyshimin se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.