Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Vuçiq: Haradinaj shkon në Hagë që të kthehet si hero

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi i pret pa ndonjë eufori zhvillimet në Prishtinë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd, Vuçiq tha se i kupton edhe pritjet e njerëzve për vendosjen e drejtësisë për atë që ka ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë.

“E kuptojmë, jo gëzimin, por njëfarë kënaqësie te pjesëtarët e popullit tonë për shkak të ftesës dërguar Haradinajt për intervistë dhe faktin që ai është i dyshuar për krime lufte”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk ka vend për eufori.

Dorëheqja e Haradinajt, sipas presidentit serb është një veprim politik për të fituar edhe më shumë popullaritet në mesin e, siç tha ai, “ekstremistëve në Kosovë” duke u promovuar si trim që lufton për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

Presidenti serb ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara në Hagë të formuara për të iniciuar rastet e dyshuara për krime lufte, funksionojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh.

Haradinaj, theksoi Vuçiq, do të shkojë në Hagë javën e ardhshme, do të qëndrojë atje një apo dy ditë dhe do të provojë “të kthehet si hero”, marrë parasysh faktin se Kosova, sipas Vuçiqit do të shkojë në zgjedhje në shtator apo në tetor.

E gjithë kjo sipas tij, mund të jetë një skenar që në Kosovë të vijë në pushtet një elitë politike që angazhohet për një “Shqipëri të madhe”.

Në këtë konferencë, Vuçiq tha se Serbia megjithatë, vazhdon të mbetet e përkushtuar “për vazhdimin e dialogut me Prishtinën”.

 

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.

 

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.