Vuçiq dhe nje oficer i Policise se Kosoves foto Rtv21

Vuçiq flet për përgjimin e Policisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media ka folur rreth disa informacioneve të kapura sipas tij nga radiolidhjet lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës.

“Kam marrë diçka e cila është interesant për ju. E kemi kapur një bisedë nga radiolidhja, sipas të cilës është krijuar një kolonë në bazën në Sfinjare”, ka thënë Vuçiq, duke aluduar në bazën e Policisë së Kosovës “Belvedere” në Frashër të Mitrovicës.

Presidenti serb ka thënë po ashtu se nga biseda e kapur përmes radiolidhjes kuptohet se ata (Policia e Kosovës) e kanë dërguar edhe një furgon.

Konferenca për media e Vuçiqit u transmetuar nga portali i gazetës serbe “Kurir”.

Gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar lajme në media se Policia po ndërhyn në veri, lajme këto të cilat janë demantuar nga ana e Policisë së Kosovës.

“Përsëri e kanë marrë atë barkën e shpejtë me të cilën Thaçi ka shëtitur nëpër Ujman. Ka mundësi që po nisen në kontroll të liqenit për të treguar muskujt dhe ta kontrollojë të ashtuquajturin “kalimin e gjelbër” në veri për të penguar kalimin e mallrave në drejtim të pjesëve serbe në Kosovë” ka thënë Vuçiq, raporton gazeta serbe N1.

Një gjë e tillë është mohuar nga zëvendësdrejtori i Stacionit Policor në Veri Besim Hoti.

Hoti për KALLXO.com tha se nuk ka lëvizje dhe se nuk janë të vërteta raportimet e mediave serbe.

“Nuk ka asnjë lëvizje. Nuk ka asgjë në lidhje me këtë që po më thoni për momentin”, tha Hoti për KALLXO.com.

Gjithashtu policia ka demantuar edhe lajmet se në Komunën e Ranillugut, ku jetojnë serbët, po konfiskohen targa të makinave të cilat i përkasin Republikës se Serbisë.