Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/EPA

Vuçiq flet për Kosovën, thotë se nuk po shet asgjë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një konferencë të përbashkët me kreun e Këshillit të Europës Donald Tusk duke folur për Kosovën tha se nuk po ofron, as po shet diçka.

“Dhe kushdo që më beson në Serbi dhe kushdo që kokën do të ma heqë për arsye se nuk kupton këtë dhe mendon që diku dikujt diçka i ofroj dhe që diçka diku dikujt i shes, nuk kam çfarë të ofroj dhe çfarë të shes”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi më tutje se nuk dëshiron që me problemin e Kosovës të merren edhe gjeneratat e ardhshme.

“A jam optimist i madh, nuk jam, por a kemi të drejtë të heqim dorë, të mos shpresojmë dhe të mos presim zgjidhje, nuk e kemi këtë të drejtë, sepse duhet të luftojmë që fëmijët tanë të mos e kenë të njëjtin problem të cilin ne e kemi sot”, tha Vuçiq.

Presidenti serb edhe njëherë përmendi zgjidhje kompromisi.

“Mund ta pranojmë çdo kompromis, por nuk mund ta pranojmë poshtërimin e Serbisë. Këtë askujt asnjëherë ky vend nuk i lejoi dhe nuk do t’ia lejojë as në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se do t’ia ofrojë të ardhmen popullit të Serbisë.

“Do t’ia ofrojmë popullit tonë të ardhmen, por edhe do të luftojmë për interesat e popullit tonë edhe për interesat tona nacionale, më fuqishëm se sa këtë e bënë disa të tjerë më herët”, tha Vuçiq.

Ai vazhdimisht po përmend zgjidhje kompromisi kur po flet për Kosovën.