Vuajtja e Grykës së Deçanit nga hidrocentralet (FOTO)

Dy nga bjeshkët që konsiderohen si ndër më të bukurat në Kosovë po rrezikojnë degradim të parikuperueshëm nga neglizhenca mjedisore në procesin e rritjes së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtritshme.

Banorë të qytetit të Deçanit janë alarmuar nga rritja shumë e shpejtë e projekteve zhvillimore që rrezikojnë lumenjtë dhe bjeshkët nga degradimi ambiental por dhe që kanë efekt direkt në jetën e popullatës atje.

‘Jeta në Kosovë’, ka parë nga afër gjendjen e grykës së Deçanit dhe të Lloçanit dhe ka marrë rrëfimet e banorëve dhe aktivistëve që po protestojnë kundër ndërtimit të pakontrolluar të hidrocentraleve.

Adriatik Gacaferi  nga aktivist nga Deçani tha se përveq degradimit nga rrezikimi i burimeve të ujit, kompanitë që ndërtojnë termocentrale kanë eksploatuar edhe rërën e lumenjve në bjeshkë.

“Kjo pjesë ka qenë e gjelbëruar. Kompania që i ka ndërtuar hidrocentralët në grykën e Deçanit e ka shfrytëzuar këtë park kombëtar për të marrë zhavorrin prej këtu për ndërtimin e hidrocentralit edhe për përpunimin e betonit komplet për gypin 15 kilometra nga gryka e Deçanit”, tha Gacaferri.

Madje, sipas tij komuniteti në De֛çan po vuan edhe nga reduktimit e ujit të pijshëm, megjithë lumenjtë që gjenden në atë pjesë.

“Përpos dëmeve në natyrë, degradimit të ambientit, kanë bërë dëme në florë dhe faunë sepse kur lumi nuk ka ujë, nuk kanë prej nga me pi edhe 100 efekte tjera, sikur te peshqit. Këta i kanë prekur  direkt edhe banorët e Deçanit. Prej ndërtimit të hidrocentraleve, në Deçan gjatë gjithë verës ka reduktime të ujit…Unë mendoj që qytetarët e Deçanit smunden mu mashtru më me hidrocentrale se po vuajnë”, tha ai.

Banorë të tjerë në atë zonë pajtohen se dëmet e shkaktuara në natyrë por edhe në mirëqenie të qytetarëve janë evidente dhe të shkaktuara në hidrocentralet.

Hysen Haxhikrasniqi, banor i Deçanit tha se punimet në hidrocentrale janë bërë në mënyrë brutale dhe pa kujdes për ambientin.

“E kanë shkatërruar këtë grykë, kanë bërë dëme të jashtëzakonshme, asnjëherë nuk janë kujdes për me rujt ujin ose ambientin., kanë punuar në mënyrën më brutale. Ka qenë përpara një vend i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Çështja e ndërtimit të hidrocentraleve u debatua në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të moderuar nga Jeta Xharra.

Pjesëmarrës në debat ishin: Besfor Kosova nga KOSID, Gani Berisha nga Ministria e Ambientit, Ellen Frank – Organizata Era Group, Adriatik Gacaferi  nga aktivist nga Decani, Bledor Tolaj, banor, Bekim Shyti nga Shoqata per energji te riperteritshme, Baton Begolli nga Këshilli ndër-ministror për ujë e të tjerë…

 

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: