Gjykimi për vrasjen e Abedin Bytyqit - Foto: KALLXO.com

Vrasja në Suharekë, prokurori do ta ndryshojë dhe zgjerojë aktakuzën

Në gjykimin për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit, pasi të akuzuarit Murat Ademi, Reshat Ademi, dhe Fadil Fetiu kanë dhënë mbrojtjen e tyre, ndërsa e akuzuara Resmije Bytyqi, bashkëshortja e viktimës, është mbrojtur në heshjte, prokurori Genc Nixha ka paralajmëruar veprime nga ana e Prokurorisë.

Sot, prokurori Nixha me të filluar seanca kërkoi që ajo të ndërpritet dhe atij t’i jepet një kohë e arsyeshme që të ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin “pasi që tashmë janë krijuar rrethana të reja dhe është ndryshuar gjendja faktike”.

“Pas dëgjimit të të gjithë të akuzuarve si dhe provave të cilat janë shfaqur në këtë proces gjyqësor, ka rezultuar me një gjendje të re faktike, ndryshe nga ajo që ka qenë gjatë procedurës hetimore e pas kësaj procedure hetimore kemi këtë aktakuzë për të cilën po zhvillohet gjykimi”, tha prokurori.

Por prokurori Genc Nixha tha që gjatë këtij gjykimi ka rrjedhur një gjendje e re faktike, andaj i propozoi Gjykatës së Prizrenit që të mos vazhdohet me seanca të tjera pasi do të ndërmarrë veprime për ndryshimin dhe zgjerimin e aktakuzës.

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Kodi i procedurës penale i mundëson një veprim të tillë prokurorit të shtetit. “Kur prokurori i shtetit gjatë shqyrtimit gjyqësor konstaton se provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar, ai në shqyrtim gjyqësor mund ta ndryshojë aktakuzën gojarisht dhe mund të propozojë që shqyrtimi gjyqësor të ndërpritet për përgatitjen e aktakuzës së re”, thotë neni 350 i Kodi.

Këtë propozim të prokurorit e mbështetit përfaqësuesi i të dëmtuarve familjes Bytyqi, avokati Blerim Mazreku, i cili konsideroi se qëndrojnë në tërësi të gjitha prentedimet e prokurorit të shtetit të thëna si më lartë dhe i propozoi trupit gjykues që propozimi i prokurorit të aprovohet.

Kundërshtime nuk shfaqën as të akuzuarit, por edhe mbrojtësit e tyre që të gjithë përkrahën prokurorin e shtetit për këtë veprim dhe e inkurajuan atë të marrë guximin dhe t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për zbardhjen e çështjes.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Fetiu, avokati Esat Gutaj e inkurajoj prokurorin Genc Nixha që jo vetëm të zgjerojë aktakuzën por edhe të bëjë një hetim të mirëfilltë, ngase, sipas tij, në këtë gjykim deri më tani motivi kryesor i vrasjes po mungon.

E meqenëse gjatë hetimit ka pasur të bëjë me masat e fshehta i njëjti propozoi që të ftohen si dëshmitarë edhe zyrtarët policorë që kanë zbatuar masat e fshehta të vëzhgimit dhe të përgjimit.

Sipas avokatit Gutaj edhe vetë të akuzuarit kanë ankesa ndaj zyrtarëve policorë që i kanë zhvilluar këto masa të fshehta. “Inkurajoj prokurorin për një guxim të tillë dhe kërkoj nga i njëjti që në këtë çështje penale të zbardhë të vërtetën dhe të ngrit një aktakuzë të re”, tha avokati i të akuzuarit Fadil Fetiu.

Në këtë situatë, trupit gjykues i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani së bashku me anëtarët Artan Sejrani dhe Ali Fazlija, ndërprenë seancën e sotme dhe caktuan datën 20 maj në ora 10:00, deri kur edhe Prokuroria të ketë kohë të mjaftueshme të ndërmarrë veprime konkrete.

Gjithashtu u aprovua edhe propozimi i avokatit Skender Morina që mbron të akuzuarin Murat Ademi, për të ftuar 2 dëshmitarë të rinj, për të cilët Gjykata kur të njoftohet për adresat e tyre do t’u dërgojë ftesa për seancën e datës 20 maj.

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

KALLXO.com ka raportuar se në këtë seancë ka pasur kërcënime dhe përplasje me fjalë e tensione ndërmjet të akuzuarve.

Gjatë kohës kur Fadil Fetiu po jepte mbrojtjen e tij, në përfundim të deklarimit shtoi se Murat Ademi e ka kryer vrasjen e  Abedin Bytyqit për motive të ulëta.

Murat Ademi i akuzuar për vrasjen e Abedin Bytyqit kërkoi t’i parashtronte pyetje Fadil Fetiu, por i akuzuari Fetiu tha që nuk do t’i përgjigjet pyetjeve të tij.

E kur trupi gjykues vendosi që i akuzuari Murat Ademi të largohej nga salla për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë, i njëjti iu vërsul të akuzuarit Fadil Fetiu dhe dhe iu drejtua me fjalët: “Prej sot je i vdekur o Fadil Fetiu!”. Por gardianët e burgut e ndaluan t’i afrohet më afër.

Gjithashtu Murat Ademi iu drejtua edhe mbrojtësit të Fadil Fetiut, avokatit Esat Gutaj me fjalët: “Edhe ti ruju prej sot!”.

I rrethuar nga 4-5 gardianë të burgut Murat Ademi u largua nga salla me forcë.

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e seancave për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit.

Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime me rrymë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi.

Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë flakën duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes.

Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Nga të gjitha veprimet Prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, e akuzuara Resmije, gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj Abedini po e maltretonte e rrihte, duke i cekur se nëse i njëjti nuk ndërmerr ndonjë veprim do të porosisë ndonjë person tjetër për ta vrarë – eliminuar bashkëshortin e saj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Murat, i shtytur nga fjalët e saja së bashku me vëllanë e tij në bashkëkryerje ndërmarrin veprime me qëllim të privimit nga jeta të tani të ndjerit Abedin Bytyqit.