Vrasja në mal, Gjyakata vendos që të shikohet vendi ku kishte ndodhur rasti

Bujar Emërllahu, i akuzuar nga Prokuroria e Gjilanit, për vrasjen e tani të ndjerit Ardit Qamili është sjellë sot para gjykatës. Në seancën e sotme është vendosur që të dilet në vendin e ngjarjes, aty ku kishte ndodhur rasti në vitin 2017.

Prokuroria e akuzon Bujar Emërllahun se në datën 08.09.2017, në një pjesë malore në fshatin Buzovik të Komunës së Vitisë, pas një mosmarrëveshje që ka pasur me viktimën për shkak të prerjes së drunjve, është përleshur me tani të ndjerin.

Sipas aktakuzës, gjatë përleshjes i akuzuari me qëllim për ta vrarë, ka shtënë me armë dhe e ka goditur të ndjerin në pjesën e stomakut, goditje prej të cilës tani i ndjeri ka marrë plagë vdekjeprurëse dhe ka ndërruar jetë.

Të akuzuarit gjithashtu i ngarkohet edhe vepra penale e armëmbajtjes pa leje.

Gjykata e Gjilanit në shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje, në përbërje të trupit gjykues prej kryetarit Aziz Shaqiri dhe anëtarëve Agim Ademi dhe Veli Kryeziu.

Në këtë shqyrtim gjyqësor është konstatuar se do të bëhet dalja për shikim në vend të ngjarjes, në të cilën do të jenë të pranishëm prokurori i shtetit Shaban Spahiu dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, që është i ati i viktimës Ibrahim Qamili me avokatin e tij Ymer Huruglica.

Gjithashtu në shikimin e vendit të ngjarjes u konstatua se do të marrin pjesë edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarit, Shemsedin Pira dhe Vahid Limani.

Për shkak të sigurisë në shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje, ishte e pranishme edhe Policia Speciale e Republikës së Kosovës.