Vendi ku ndodhi vrasja në Suharekë më 17 mars 2019 - Foto: KALLXO.com

Vrasja në kazino në Suharekë, policit të dyshuar i vazhdohet paraburgimi

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar masën e paraburgimit oficerit të Policisë së Kosovës, i dyshuar për vrasjen e një të riu në një kazino në Suharekë.

Rasti i vrasjes ka ndodhur më 17 mars të këtij viti.

Jetmir Alia ishte vrarë me armë zjarri në vendin e tij të punës, në kazino.

I dyshuari kryesor në këtë çështje është zyrtari policor Sh.S, të cilit një ditë pas vrasjes Gjykata i kishte caktuar masën e paraburgimit, si masë sigurie për praninë e tij gjatë hetimit dhe që i njëjti të mos pengojë rrjedhën e hetimit.

KALLXO.com ka raportuar nga seanca mbi caktimin e paraburgimit.

Gjykata e Prizrenit, siç mëson KALLXO.com, ia ka vazhduar sot paraburgimin të pandehurit.

Nga dosja e Prokurorisë dhe provat e mbledhura, prokurori i çështjes konsideron se polici ka qëlluar viktimën me armë zyrtare të Policisë nga 1 metër afërsi.

Në aktvendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhej se “i pandehuri me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje privon nga jeta të ndjerin me iniciale J.A. punëtor i kazinosë, në atë mënyrë që shkon në kazino dhe aty qëndron deri në ora 5:00”.

I dyshuari Sh.S., sipas dosjes së Prokurorisë së Prizrenit, është rikthyer sërish rreth orës 7:30 minuta, dhe papritmas gjatë lëvizjes në kazino në një moment ka nxjerrë armën – pistoletën e markës Glock, dhe nga një afërsi, në distancë një metër, ka shtënë një herë në pjesën e epërme të kokës të të ndjerit i cili ka qenë i ulur në fotele.

Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit, Sh.S, i mungonte një plumb pas vrasjes.

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së 32 vjeçarit në Suharekë, policit i ishte konfiskuar  arma ‘Glock 9 mm’.

Prokurori Mehdi Sefa në seancën për caktimin e paraburgimit me datë 19 mars kishte deklaruar se “Në  vendin e ngjarjes gjatë bastisjes tek i pandehuri përveç armës zyrtare 9 mm  Glock që është konfiskuar, janë konfiskuar edhe 29 fishekë, ndërsa i pandehuri ka qenë i ngarkuar me 30 fishekë”.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Përmbajtja e kësaj  CD-je që është nxjerrë nga serveri i kamerave të sigurisë të lokalit ku është kryer vepra penale, ishte shikuar gjatë seancën së datës 19 mars.

Mediat dhe monitoruesit nuk ishin lejuar të jenë të pranishëm në kohën e shikimit të CD-së, por prokurori i rastit Mehdi Sefa pretendon se në të janë provat kryesore të ngjarjes.

Prokuroria kërkesën e saj për caktim të paraburgimit e kishte arsyetuar me faktin se i dyshuari Sh.S, me qëndrimin e tij në liri, mund të tentojë sërish të shkatërrojë provat.

‘’I dyshuari menjëherë pas kryerjes se veprës penale ka tentuar të asgjësojë provat, dhe atë video incizimin brenda vendit ku është kryer vepra penale . Andaj i njëjti po të qëndrojë në liri ai mund të tentojë përsëri shkatërrimin e provave”, kishte paraqitur si fakt për caktim të paraburgimit prokurori Mehdi Sefa.

Gjatë mbajtjes së seancën së datës 19 mars, i dyshuari Sh.S, nuk ishte deklaruar gjatë, pos që kishte mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Sefer Morina.

“E mbështes fjalën e avokatit, s’di çka me fol e me shtu ma shumë”, kishin qenë fjalët e vetme të të dyshuarit Sh.S. gjatë asaj seance.