Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Ilir Zeqirit - 13.04.2019 - FOTO KALLXO

Vrasja e veteranit, i dyshuari Halil Fejza: E vrava se më kërkoi 20 mijë euro për 9 mijë borxh

Vrasja e Ilir Zeqirit në Skenderaj dyshohet se u bë për 9000 euro. Një gjë të tillë e ka pohuar sot në Gjykatën e Mitrovicës i pandehuri Halil Fejza.

I pyetur nga gjykatësi Ali Kutllovci se si kishte reaguar viktima në momentin kur ai kishte gjuajtur në drejtim të tij, i pandehuri u përgjigj se ai i kishte mbyllur sytë në momentin kur kishte gjuajtur në tani të vdekurin Ilir Zeqirin.

“Kur kam gjuajtur i kam mbyllur sytë dhe nuk e di se si ka reaguar viktima. Unë menjëherë kam ikur arave në drejtim ku ka qenë duke me pritur Korabi. Unë nuk e di kush e ka kall automjetin, unë nuk e kam kallë”, ka thënë Fejza.

Të pandehurve Halil Fejza dhe Korab Imeri gjykatësi i rastit Ali Kutllovci ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

I dyshuari Halil Fejza ka thënë në Gjykatë se nga tashmë i ndjeri Ilir Zeqiri kishte marr një borxh prej 9000 euro, ndërsa ky i fundit i kishte thënë se nëse nuk ia kthen të njëjtat deri me datën 13 të këtij muaji, pas kësaj date i dyshuari Fejza do të duhej t`i kthej shumën prej 20 mijë euro.

“Tani i ndjeri disa herë mi ka kërkuar paratë dhe shumën prej 9000 euro, të cilat ia kisha marr si borxh dhe ai pesë herë mi ka kërkuar dhe herën e fundit me ka thënë së nëse deri me 13.04.2019 nuk i kthen këto 9000 euro ti duhesh t`i kthesh 20.000 euro. Mua filloi të më hyjë një frikë prej atij momenti dhe fillova të zihem në vete”, ka thënë Fejza në Gjykatë.

Tutje Fejza ka rrëfyer se si kishte ardhur deri të kryerja e kësaj vepre, duke thënë se për këtë nuk e kishte ditur asnjë prej anëtarëve i familjes së tij.

“Nuk kam biseduar me askënd për këtë punë, të shtunën unë vendosa ta kryej këtë farë pune, ashtu që së bashku me Korabin diku një orë e gjysmë para se me ndodh rasti unë e kam dërguar armën dhe e kam fshehur në gardh. Prej momentit kur kam hyrë në automjet me tani të ndjerin të xhamia e deri në momentin kur kemi shkuar në vendin e ngjarjes ai më ka thënë se më mirë është për ty me i pagu 9000 euro se sa 20 mijë. Në momentin kur kemi mbërri në vendin e ngjarjes siç kam deklaruar unë kam kërkuar që ta ndal veturën për të kryer nevoja fiziologjike. Kam shkuar e kam marr automatin dhe jam ofruar tre deri në katër metra nga ana e shoferit dhe kam shtënë rafal me të shtatë plumbat sa i ka pasur edhe automati”, ka thënë i dyshuari Fejza.

Ndërsa i dyshuari tjetër Korab Imeri, ka qenë i heshtur në Gjykatë. Krejt çfarë ka thënë ai ishte një sqarim lidhur me çështjen e vozitjes së automjetit nëpër në Prekaz.

“Vetëm dua të sqaroj se lidhur me çështjen e vozitjes së automjetit BMË unë atë e kam vozitur vetëm deri te pompa e cila gjendet afër xhamisë në Skenderaj. Aty e kam kuptuar se çfarë ka ndodhur. Lidhur me armën që e ka vendosur Halili në gardh unë e kam parë dhe e kam ditë, por unë kam menduar se ai në fillim do të merrej vesh me fjalë për zgjatjen e afatit të borxhit por nuk e kam ditë se ai do ta kryej aktin të cilin e ka kryer. Halili ka ardh të automjeti ku isha duke e prit duke vrapuar dhe si ka hyp në makinë ka thënë o çka bona ‘Unë hyna një gjak borxh’. Unë menjëherë jam nis për në Prekaz. Unë nuk i kam treguar askujt në familje”, ka deklaruar i dyshuari Imeri.

Në dosjen e Prokurorisë, përshkruhen lëvizjes e tashmë të dyshuarit Hali Fejza, i cili me automjetin e tij BMW X5 kishte lëvizur disa herë nëpër Prekaz.

I njëjti siç theksohet në dosjen e Prokurorisë, gjatë marrjes në pyetje nuk ka qenë në gjendje që t`i mbrojë deklaratat fillestare se në kohën kur ka ndodhur rasti kishte qenë në shtëpi.

Zbulimi i rastit sipas Prokurorisë ka ardhur pasi janë shikuar filmimet e kamerave të sigurisë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku i dyshuari është parë duke lëvizur disa herë më makinën e tij.

Gjykata e Mitrovicës pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, provave në shkresat e lëndës ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit është e bazuar dhe ekzistojnë provat relevante të besueshme dhe me fuqi provuese për caktimin e kësaj masë.

Kamerat e Jasharajve zbuluan vrasjen e veteranit të UÇK-së Ilir Zeqiri

.

13 Prill 2019 - 17:33

Bahrie Sadiku 13/04/2019 - 17:33
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend