Avni Arifi. Foto: Facebook

Vrasja e Ivanoviqit, Anulohet Takimi i Dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel

Kreu i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, tha për KALLXO.com se takimi i sotëm në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian është anuluar.

Arifi tha se nga organizatorët e takimit ka marrë arsyetimin se shkaku i këtij anulimi është vrasja e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq mëngjesin e sotëm në Mitrovicë të veriut.

“Nga zyrtarë të Bashkimit Europian na është thënë se delegacioni serb i obliguar të kthehet në në Beograd”, tha Arifi.

“Të paktën për sot, takimi është anuluar. Gjatë ditës ose nesër do të marrim informacione se kur mund të mbahet takimi”, tha Arifi.

Ky ka qenë takimi i parë për Avni Arifin në krye të delegacionit kosovar pasi ditë më parë ai e mori këtë detyrë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.