Dhimbja në familjen e të vrarit Ermal Kamberajt dënimi i papranueshëm për familjen

Gjykata në Mitrovicë e ka mbyllur javën e kaluar procesin gjyqësor për vrasjen e para dy viteve të një të riu në kiëtë qytet, por familjarët e viktimës Ermal Kamberaj nuk po pajtohen me verdiktin.

Gjatë javës së kaluar, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 12 vjet burg të akuzuarin Sadik Bajrami për vrasjen e Ermal Kamberajt.

Kamberaj kishte mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e 5 majit të vitit 2017 në vendin e tij të punës në lokalin ‘Check In’.

Por, të pakënaqur me vendim të Gjykatës janë familja e të vrarit Ermal Kamberaj.

Shpëtim Kamberaj, vëllai i Ermal Kamberaj ka folur në një intervistë për KALLXO.com për motivet se si ka ndodhur vrasja mbrëmjen e 5 majit.

Shpëtim Kamberaj – Vëllai i Ermal Kamberajt 

“Motivi i vrasjes është për sene të punës aty brenda. Ka pas me majtë muzikë atë natë, Ermali u kanë si përgjegjës për tavolina, si menaxher. Ka pas sigurim lokali te dera ku bohet kontrolla e hyrjes që hyn njerëzit brenda, edhe sigurimi brenda lokalit. Ai qysh ka mbërri me hy brenda me revole ata e din më mirë sigurimi edhe pronari i lokalit që janë përgjegjës të lokalit, janë kap me Ermalin janë shty qaty për qaty, e ka pas revolen me vete, e ka nxjerrë revolen dhe e ka kry krimin. ”, ka thënë Kamberaj.

Sipas familjarëve, e vërteta e vrasjes së djalit të tyre nuk është zbuluar ende.

“Nuk u zbulu e vërteta e vrasjes, Ermali nuk u vra gabimisht, Ermali ka qenë në punë, Ermali u vra për një tavolinë”, ka thënë Kamberaj

Vëllai i Ermalit, Shpëtim Kamberaj thotë se familja e tyre nuk pranon dënim më të ulët se 25 vite për vrasësin e Ermal Kamberajt.

“Krejt procesi duhet me u kthy në rigjykim, duhet mu kthy në rigjykim edhe mu denu, ai i meriton 25 vjet ose burg të përjetshëm, çka mbetet nën 25 ne nuk e pranojmë si familje nuk e pranojmë”, ka thënë vëllai i Ermalit.

Në rast se vendimi nuk ndryshon, Kamberaj ka paralajmëruar se familjarët dhe qytetarët do të organizojnë protesta për vendimin e gjykatës në Mitrovicë.

“Hapat tonë si familje me i ndërmarrë në këtë punë që e ka vendos Gjykata që e ka denu me 12 vjet burg, hapat tonë si familje do të jenë që nga fundi i kësaj jave të organizojmë protestë, protestë që ti bëjmë apel Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që me kthy vendimin në rigjykim edhe janë për procedura të reja, na kena me marr hapa edhe skena me lan guri pa livrit për djalin tonë”, ka thënë Kamberaj.

KALLXO.com ka provuar të marr edhe një qëndrim nga ana e pronarit të lokalit “Check In”, në Mitrovicë, pro të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerave, ndërsa prapa kamerave kanë thënë se ata nuk janë fajtor për vrasjen e cila ka ndodhur në lokalin e tyre.

Për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e të akuzuarit, Avdi Dinaj, i cili ka thënë për KALLXO.com se për vendimin e Gjykatës do të bëjë ankesë.

Ankesë ka paralajmëruar se do të bëjë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, i cili përmes telefonit ka thënë për KALLXO.com se është i pakënaqur me vendimin e Gjykatës rreth vrasjes së Ermal Kamberajt.