Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, i vazhdohet paraburgimi Pjetër Nrecajt

Gjykata e Gjakovës e ka vazhduar për dy muaj masën e paraburgimit ndaj Pjetër Nrecajt, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Brekoc të Gjakovës.

Pjetër Nrecaj akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë, pasi dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tyre 9-vjeçare.

Vrasja kishte ndodhur me 7 gusht të këtij viti.

Kërkesën për vazhdimin e paraburgimit e ka bërë prokurori Agron Matjani dhe Gjykata e aprovoi duke e lënë të dyshuarin Nrecaj në paraburgim deri më 5 nëntor të këtij viti, raporton KALLXO.com.

Prokuroria në kërkesën e saj pretendon se paraburgimi duhet t’i vazhdohet për arsye se faza e hetimeve ende s’ka përfunduar dhe se ekzistojnë arsyet ligjore duke marrë parasysh lartësinë e dënimit për këtë vepër penale që është jo më pak se 10 vjet burgim apo burgim të përjetshëm.

“Po ashtu, i pandehuri mund të asgjësojë provat, mund të pengojë rrjedhën e hetimeve si dhe të ndikojë te dëshmitarët e rastit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Gjakovës.

Pjetër Nrecaj akuzohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Valbona Nrecaj dhe vajzën e tyre të mitur.

https://kallxo.com/cka-deklaroi-para-policise-pjeter-nrecaj-per-vrasjen-e-bashkeshortes-dhe-vajzes/

Në deklaratën e tij të shkurtë para Gjykatës, më 10 gusht, Pjetër Nrecaj ka thënë se i vjen keq për ngjarjen ku gruaja e tij Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare mbetën të vrara.

https://kallxo.com/pjeter-nrecajt-i-vie-keq-per-vrasjen-e-gruas-dhe-vajzes/

Kallxo.com