Vlastimir Gjorgjeviq, zyrtari serb i përfshirë në operacionin për fshehjen e krimeve të kryera në Kosovë

Ish-zyrtarit të rangut të lartë të Ministrisë së Brendshme serbe Vlastimir Gjorgjeviq mund t’i jepet lirim i parakohshëm më vonë këtë muaj nga burgu në Gjermani, ku po vuan dënimin për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.

Gjorgjeviq u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për persekutimin dhe dëbimin e civilëve shqiptarë të Kosovës dhe për asistim në fshehjen e kufomave të viktimave të luftës.

Lirimi i tij i mundshëm para kohe pasi ka kryer dy të tretat e dënimit të tij me burg u bë një çështje e diskutueshme pas fillimit të një fushate muajin e kaluar nga familjet e tre shqiptaro-amerikanëve të vrarë, të cilët i kërkuan Mekanizmit të Gjykatave Penale Ndërkombëtare dhe Gjermanisë ta mbante atë pas hekurave derisa ai të japë më shumë informacione rreth vrasjeve të kohës së luftës dhe vendndodhjet e varreve masive.

Aktivistët shprehen se Gjorgjeviq, tani 70 vjeç, “ka fshehur informacione që mund të sjellin drejtësi për qindra familje” dhe vetëm duke i treguar këto informacione ai mund të demonstrojë se është rehabilituar dhe për pasojë i plotëson kushtet për lirim të parakohshëm.

Gjorgjeviq, i diplomuar në drejtësi, iu bashkua policisë dhe u ngrit në postin e ndihmës ministrit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë në shtator 1996. Vitin pasues ai u bë kolonel i përgjithshëm, e cila ishte grada më e lartë në atë kohë.

Pasi shefi i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme, Radovan “Badza” Stojiçiq, u qëllua me armë në një restorant në Beograd, Gjorgjeviq u emërua si pasardhës i tij, një rol që u bë i përhershëm në janar 1998. Departamenti i Sigurisë Publike kishte një detyrë të gjerë, duke kontrolluar çdo gjë nga operacionet e policisë kriminale deri në kalimet kufitare.

Jo shumë kohë më pas, situata në Kosovë u bë më problematike për Beogradin, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës mblodhi forcë në fushatën e saj të armatosur për të përmbysur sundimin serb.

Sipas vendimit të apelit të Gjykatës së Hagës në vitin 1997, Gjorgjeviq ngriti një Shtab për Kosovën dhe më pas, një vit më vonë, eprori i tij, Ministri i Brendshëm Vlajko Stojilkoviq, krijoi një Shtab të ri për Shtypjen e Terrorizmit, i cili synonte të shënjestronte forcat guerile të UÇK-së .

Gjorgjeviq u shpreh në gjykatë se kur u krijua shtabi i dytë, zinxhirët komandues të Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore u bashkuan dhe u vendosën nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të ministrit Stojilkoviq. (Stojilkoviq u vra në vitin 2002, në ditën kur parlamenti serb miratoi një ligj për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës.)

Por vendimi apelit tha se roli i Gjorgjeviqit në Kosovë nuk u zvogëlua nga shkrirja e zinxhirëve komandues të dy departamenteve dhe se ai kishte një rol të drejtpërdrejtë në angazhimin e forcave policore serbe në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999 dhe shpesh ishte edhe vetë i pranishëm në terren.

Sasi të mëdha kufomash gjenden të zhytura në ujë

Një kamion frigorifer me 86 kufoma në lumin Danub në prill 1999. Foto: Ministria e brendshme serbe.

Ndërsa forcat e Beogradit luftonin kundër UÇK-së dhe NATO-ja bombardonte Jugosllavinë në një përpjekje për ta bërë Sllobodan Millosheviqin t’i jepte fund fushatës së tij ushtarake, dy kamionë frigoriferë u gjetën në një liqen dhe një lumë në pjesë të ndryshme të Serbisë.

Pas përfundimit të luftës dhe rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti në vitin 2000, do të bëhej e qartë se këta kamionë ishin plot me trupat e civilëve shqiptarë të Kosovës.

Por në vitin 1999, shumë pak njerëz e dinin këtë. Një prej tyre, sipas vendimeve gjyqësore, ishte Vlastimir Gjorgjeviq.

Kur një nga kamionët doli mbi ujë në Danub pranë qytetit të vogël Tekija në Serbinë lindore në fillim të prillit 1999, ishte Gjorgjeviq ai që dha udhëzimet për heqjen e trupave dhe transportimin e tyre për t’u varrosur në tokën e qendrës së Njësisë Speciale të Antiterrorizmit në Batajnica, afër Beogradit.

Kjo, sipas vendimit të apelit në gjyqin e Gjorgjeviqit, ishte një përpjekje për të “fshehur zbulimin e trupave, si dhe etninë dhe origjinën e tyre, dhe për të penguar çdo hetim të mëtejshëm mbi vdekjen e këtyre individëve”.

Gjorgjeviq pranoi përfshirjen e tij në përpjekjen për mbulimin e krimit, por mohoi të kishte dijeni për vrasjet.

“Po, unë isha i përfshirë kur kamionë me kufoma po vinin në Batajnica, por nuk e dija se kur ishin kryer krimet,” tha ai.

“Nuk u përballa me ata që u përpoqën t’i fshihnin krimet dhe nuk ndërmora masa për të gjetur personat përgjegjës për krime lufte, gjë të cilën duhej ta bëja,” shtoi ai.

Gjithashtu në prill të vitit 1999, policia lokale zbuloi një tjetër kamion me trupa të vdekur në anën e kundërt të vendit, në liqenin Perucac në Serbinë perëndimore.

Trupat më pas u varrosën pranë liqenit nën mbikëqyrjen e Gjorgjeviqit. Ai më vonë pranoi në gjykatë se e dinte se ajo që po bënte ishte e paligjshme, por nuk nisi ndonjë hetim në lidhje me krimin.

Policia në Serbi vrau shqiptaro-amerikanët

Shqiptarët duke bërë homazhe për vëllezërit e vrarë Bytyqi në vitin 2002. Foto: Valdrin Xhemaj/EPA.

Rasti i tre vëllezërve Bytyqi, qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare të Kosovës, ka qenë në qendër të fushatës për të mbajtur Gjorgjeviqin në burg nëse ai nuk ofron më shumë informacione.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi shkuan për të luftuar për UÇK-në kundër forcave të Beogradit dhe u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës.

Pasi kryen dënimin për kalim të paligjshëm të kufirit, ata u arrestuan dhe u dërguan në një qendër trajnimi policore në Petrovo Selo në Serbinë lindore dhe u vranë.

Vendimi apelit në çështjen e Gjorgjeviqit tha se vëllezërit “u transferuan në qendrën PJP në Petrovo Selo me udhëzimin e Gjorgjeviqit”.

Familja Bytyqi është angazhuar në një fushatë të gjatë për të detyruar Serbinë të sjellë para drejtësisë vrasësit dhe i ka bërë vazhdimisht thirrje Gjorgjeviqit të tregojë më shumë detaje mbi mënyrën sesi ata vdiqën si edhe për vendet e varreve të tjera masive nga lufta e Kosovës.

Detajet dhe fotografitë e kamionëve me trupat e vdekur të viktimave të lufrës u bënë publike në Serbi në vitin 2001, kur u zhvarrosën varre masive. Gjorgjeviq më pas u arratis dhe arriti të shmangte kapjen e tij për disa vjet.

Në qershor 2007, policia malazeze e arrestoi atë në qytetin bregdetar të Budvës. Mediat spekuluan se ai kishte jetuar në Budva për tre vjet nën një emër të rremë, duke punuar si ndërtues.

Ditën e arrestimit të tij, ai u transferua në Hagë për t’u gjykuar. Dymbëdhjetë vjet më vonë, së shpejti ai mund të jetë përsëri i lirë.

Shikoni trailerin e “Të Paidentifikuarit”, dokumentari i BIRN mbi komandantët serbë përgjegjës për disa nga sulmet më brutale të luftës në Kosovë dhe operacionin e mëvonshëm për të fshehur kufomat.