Vjedhjet e rënda në Deçan, policia sekuestron stoli ari e para

Gjashtë persona janë arrestuar për vjedhje të rënda në rajonin e Deçanit.

Policia e Kosovës, Stacioni Policor Deçan, në bashkëpunim me njësitë tjera policore dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, javën që po lëmë pas, gjatë një pune operativo – hetimore, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë gjashtë persona të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’ dhe ‘grabitje me armë’.

Personat e dyshuar të arrestuar lidhur me këtë rast janë: Xh. Th. lindur më 1975 , A. P. lindur më 1993, L. P. lindur më 1988 , F. O. lindur më 1985 , B. K. lindur më 1991 , M. P., lindur me 1979.

Sipas policisë, këto vepra penale kryesisht janë vjedhje të rënda të ndodhura në shtëpi, banesa dhe dyqane afariste të qytetarëve të Deçanit me rrethinë.

Në njoftimin e tyre thuhet se janë siguruar prova të mjaftueshme për zbardhjen e të paktën njëzet rasteve të ‘vjedhjeve të rënda’ dhe ‘grabitjeve me armë’ që dyshohet se janë kryer nga të dyshuarit e lartcekur.

Në këtë veprimtari intensive policore janë kontrolluar – bastisur disa lokacione, shtëpi dhe objekte përcjellëse që kanë qenë në shfrytëzim nga të dyshuarit në këto raste, ku gjatë kontrollit është arritur të gjenden dhe sekuestrohen:tri armë zjarri, sasi e konsiderueshme e municionit , sasi e konsiderueshme e stolive të arit, sasi të parave të gatshme, një llap-top dhe një I-Pad dhe disa telefona celularë.