Foto Ilustrim: Vjedhje

Vjedhje e rëndë në një xhami në Gjilan

Një person është ndaluar nga Prokuroria në Gjilan, pasi dyshohet për një vjedhje të rëndë në një xhami.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, dje rreth orës 17h, ka ndaluar të dyshuari E.SH., për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vjedhje e rëndë’’, në një xhami në Gjilan”, ka njoftuar Prokuroria e Gjilanit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë ditës së djeshme, më 18 prill 2019, rreth orës 17h, i dyshuari E.SH. (1989), kishte hyrë brenda xhamisë, në lagjen ‘’Dheu i Bardhë’’, në Gjilan, me ç’ rast nga arka e xhamisë, duke përdorur një mjet prej fije teli,  kishte arritur të nxjerrë 125 (njëqind e njëzet e pesë) euro. Të dyshuarin, gjatë kryerjes së kësaj vepre penale, e kishte vërejtur një person që kishte qenë në katin e dytë të xhamisë, i cili menjëherë e kishte lajmëruar imamin e kësaj xhamie”, njofton Prokuroria.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se Prokurori kujdestar sot, ndaj të dyshuarit do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan.