Burgu i Dubravës - Foto: Ilustrim

Vizitorja dyshohet se tentoi të fuste drogë në Burgun e Dubravës

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një grua, të cilës i është gjetur një sasi narkotikësh teksa dëshironte të hynte për vizitë në Burgun e Dubravës.

Zyrtarët e Burgut e kanë njoftuar Policinë se e dyshuara e kishte kamufluar drogën në një mbështjellës plasmasti.

Njësiti Rajonal i është përgjigjur rastit dhe e dyshuara është arrestuar për të zhvilluar procedurat e mëtejme ligjore.

Po ashtu, Policia njofton se është konfiskuar sasia e gjetur e substancës narkotike prej 12.5 gramë dhe lidhur me këtë është njoftuar edhe prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarës, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Pas intervistimit nga hetuesit rajonalë, e dyshuara me urdhër të prokurorit të shtetit ndalohet për 48 orë dhe është dërguar në qendrën e ndalimit.

E arrestuara po dyshohet për veprën penale – blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope.