Foto: Xhavit Drenori/Facebook

Vizita e Hahnit në Kosovë “do t’i kushtojë" 35 euro

“Mirë se vjen në Kosovë z. Hahn. Ne në Kosovë aplikojmë reciprocitetin dhe juve ju duhet vizë që të hyni. Që të merrni vizën ju duhen 45 dokumente dhe 35 euro pagesë për të”.

Ky është mesazhi i aksionit simbolik të bërë sot në afërsi të objektit të Qeverisë së Kosovës, nga ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori me disa aktivistë të tjerë për komisionerin e BE-së, Johannes Hahn, i cili do të vijë sot gjatë ditës në Kosovë.

Sipas Drenorit, ky mesazh erdhi për të shprehur pakënaqësinë për qasjen e Bashkimit Europian ndaj qytetarëve të Kosovës në lidhje me mos liberalizimin e vizave.

“Kjo qasje është e papranueshme sepse ne nuk e meritojmë që të mbesim të vetmit në Evropë dhe Ballkan pa viza. Nëse ne kemi dështuar si shtet atëherë ne një pjesë të fajit ta marrin edhe shtete e BE-së sepse ato ne na ndihmuan që të çlirohemi që ta bëjmë pavarësinë e Kosovës andaj është e pajustifikueshme të na hidhet neve tërë faji për mos plotësim të kritereve”, tha Drenori.

Foto: Xhavit Drenori/Facebook

Ai shtoi se nëse BE-ja mendon se politikanët janë të korruptuar atëherë mos të bashkëpunojnë me ta.

“Nëse ata mendojnë që elita jonë politike është e korruptuar, atëherë ata nuk duhet të bashkëpunojnë me ta dhe të mos marrin në qafë të gjithë qytetarët të cilët për shkak të disa liderëve. Ne jemi të pakënaqur ky është një akt simbolik dhe mendojmë që zoti Hhahn duhet ta merr këtë mesazh të këtij baneri”, tha Drenori.

Hahn do të takohet gjatë ditës me liderët shtetëror në lidhje me agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave,  ku po ashtu do të kërkojë edhe heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake të vendosur nga Qeveria e Kosovës javë më parë.