Vitia zhvendos drurin e mbjellur nga PDK-ja, thonë se ishte pa plan

Një dru i mbjellur në njërin nga sheshet e Vitisë është zhvendosur nga komuna, duke sjellur kështu akuza për luftë politike nga opozita atje.

Rinia  e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Vitisë është shprehur e pakënaqur me vendimin e Komunës (të udhëhequr nga LDK-ja), për largimin e pemës të cilën këta të fundit e kanë mbjellur për të ju bashkuar fushatës së fundit.

Sipas tyre ky vendim i komunës së qeverisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me kryetar Sokol Halitin është marrë vetëm për shkaqe politike.

“Rinia Demokratike në Viti duke iu bashkuar fushatës ‘mbjell një pemë’ ka mbjellur pemën e Dekadës së Re në Sheshin “Njazi Azemi” në Viti. Por çuditërisht në mënyrë vulgare dhe të pahijshme ajo është larguar nga aty me urdhër të individëve të caktuar brenda qeverisjes Haliti të cilët pronat publike të Vitisë e sheshet e saj kanë filluar t’i shohin si çifligje familjare” kanë thënë ata për KALLXO.com.

Tutje ata këtë veprim të komunës e kanë cilësuar vulgar dhe të pahijshme.

“Në vend se të mbështeten aktivitetet e mrekullueshme, përmbajtësore e në dobi të rinisë së Vitisë ato po luftohen fuqishëm sepse disa po mendojnë se pushteti është i përjetshëm dhe se janë mbi ata që mendojnë ndryshe nga pushteti aktual”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Në lidhje me këtë shqetësim KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, i cili ka thënë që kjo iniciativë e Rinisë Demokratike e Kosovës është bërë pa respektim të planit dekorativ të Komunës.

“Rinia demokratike në Viti ka mbjellë një dru në sheshin ‘Njazi Azemi’ pa respektim të planit për mbjelljen e drunjve dekorativ, dhe konsultim me punëtorë profesional për këtë çështje”, thuhet në përgjigjet e Halitit.

Mirëpo sipas tij, pema e mbjellur nga Rinia Demokratike nuk është asgjësuar por vetëm i është ndërruar lokacioni.

“Druri në fjalë nuk është asgjësuar por e kemi zhvendos prej  para shtatores së dëshmorit  Nijazi Azemit , Komandant Mjekrra, mbrapa shtatores në përputhje me planin për mbjelljen e drurëve dekorativ dhe mirëmbajtjen e tyre”, ka thënë tutje Haliti.

Kryetari Haliti poashtu ka dërguar edhe foton në të cilën është vendosur druri i mbjellur nga Rinia Demokratike e Vitisë.