Viti kur Arsimi Ra në Test

Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ishin tepër optimistë se 2016 do të ishte vit i cilësisë reale në arsimin parauniversitar dhe atë universitar.

Madje, ministri Arsim Bajrami 2016-ën e kishte cilësuar “vit i dijes”.

Megjithatë, muajt e parë të vitit të kaluar u fokusuan në arsimin e lartë dhe reformën e tij të përgjithshme përmes zgjedhjeve të parakohshme  të të gjitha niveleve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Zgjedhjet u vendos të mbahen pas shkarkimit dhe rikthimit në punë të rektorit Ramadan Zejnullahu në vitin paraprak.

Në proces të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, Zejnullahu dha dorëheqje nga pozita e rektorit duke e lënë bosh pozitën e drejtuesit të UP-së për më shumë se një muaj.

Pastaj, pas disa përpjekjeve të dështuara nga Këshilli Drejtues për të zgjedhur rektorin, pasardhës i Ramadan Zejnullahut u zgjodh Marjan Dema, që është profesor i matematikës në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike.

Një pasqyrë e punës së Ministrisë së Arsimit këtë vit ishte edhe testi i arritshmërisë për nxënësit e klasëve të nënta që u mbajt në maj të këtij viti.

Ky test u desh të anulohet në tri komuna për shkak të parregullsive dhe rezultateve që u cilësuan joreale nga Ministria e Arsimit.

Ndërkaq, Matura Shtetërore e organizuar për nxënësit e shkollave të mesme, megjithëse i cilësuar si i sukseshëm nga MASHT, u përcoll me parregullsi që u evidentuan edhe nga monitorimi i KALLXO.com

‘Gazeta Jeta në Kosovë’ publikoi një seri hulumtimesh për publikime të rrejshme dhe plagjiatura të profesorëve në Universitetin e Prishtinës.

Ndër to doli të ishte edhe vetë rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

Një nga punimet shkencore të rektorit është publikuar në një revistë indiane, e cila konsiderohet mashtruese nga ekspertë dhe platforma të vlerësimit shkencor, ndërsa avancimi i tij vihet në pikëpyetje edhe nga numri i pamjaftueshëm i punimeve në tërësi.

E deklaratat e fillimvitit të ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, rreth cilësisë në arsim ranë totalisht në kontradiktë me ato të fundit të këtij viti.

Kjo pas daljes së rezultateve nga testi i Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) për nxënësit 15-vjeçarë.

Këto rezultate e radhitën Kosovën në tre vendet e fundit nga 72 pjesëmarrëse në këtë test në tre elementet vlerësuese që janë matematika, leximi dhe shkenca.

Sipas raportit të PISA-s, 77 për qind e nxënësve nuk arrijnë nivelin minimal në aftësitë e të lexuarit dhe përqindje e përafërt edhe për fushën e matematikës dhe shkencës.

Me këtë rast, MASHT “amnistoi” veten duke konsideruar këto rezultate pasqyrë të qeverisjeve të kaluara dhe duke premtuar sërish cilësi për vitet e ardhshme.

Sipas MASHT këto rezultate do të ndryshojnë në vlerësimin e ardhshëm të PISA-s, më 2018 dhe arsimi në tërësi do të ngritet në cilësi deri në vitin 2020.