Visar Ymeri flet për shpenzimet e ekipit negociator

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka deklaruar se votimi i Ligjit për Delegacionin Shtetëror, i sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës, është gabim i Kuvendit.

Ai ka thënë se pas këtij vendimi, Delegacioni Shtetëror nuk do të jetë më angazhim i politik i PSD-Së dhe se secili subjekt politik dhe individ brenda Kuvendit, e bart përgjegjësinë e veprimeve të veta.

Pas pyetjes së KALLXO.com rreth shpenzimeve që ky Delegacion ka bërë, Ymeri është përgjigjur duke thënë se për fondet e ndara nga Qeveria e Kosovës, Delegacioni Shtetëror ka pasur shpenzime, vetëm për kohën derisa është miratuar platforma.

Andaj sipas tij, krijimi i kësaj platforme shtetërore, është një udhërrëfyes parimor dhe i dobishëm për dialogun me Serbinë dhe se do të duhej të ishte udhërrëfyes për institucionet e Kosovës në këtë drejtim.

“Siç e dini Delegacioni Shtetëror e ka pasur në udhëtim të përbashkët në Bruksel, për ta njoftuar përfaqësuesen e lartë Mogherini, për këtë vendim institucional që dialogu me Serbinë t’i bartet Serbisë, pastaj kanë qenë edhe dy udhëtime të tjera, e këto janë udhëtime të tëra nga Delegacioni Shtetëror. 300 mijë euro që janë nda, nuk janë të shpenzuara, ato kanë qenë të dedikuara për shpenzime, mirëpo një pjesë e tyre janë shpenzuar për këto që i përmenda”, është përgjigjur ai gjatë konferencës për media.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga 32 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave të delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë.

Kushtetuesja ka gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.