Pamje nga mbledhja e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Vincenzo Paglia Bëhet 'Honoris Causa' i UP-së

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se është ‘interes shtetëror’ që ky titull i UP-së t’i jepet një personi si Vincenzo Paglia.

Ky titull do t’i jepet Paglias nesër, pasi që aktualisht ai gjendet në Kosovë.

Vincenzo Paglia ka qenë drejtues i Komitetit Shën Egjidio kur në vitin 1996 ndërmjetësoi mes Ibrahim Rugovës e Slobodan Milosheviqit një marrëveshje për kthimin e nxënësve shqiptarë në objektet shkollore të uzurpuara nga regjimi serb.

Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik, i cili në mbledhjen e kaluar kishte refuzuar ta mbështesë propozimin për këtë çmim, duke kërkuar më shumë sqarime rreth propozimit, sot e mbështeti atë pasi tha se arsyetimi i dhënë tani është i mjaftueshëm.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Sportive, Musa Selimi kërkoi që edhe Driton Kukës, trajnerit të Majlinda Kelmendit t’i jepet titulli i Doctor Honoris Cuasa për shkak të kontributit të madh që i ka dhënë sportit kosovar.

“T’i jepet ky titull edhe Driton Kukës për të arriturat e jashtëzakonshme në sferën e sportit dhe për imazhin e mirë që  e ka krijuar në botë. Unë jam dakord me propozimin e juaj por kërkoj që t’i respektojmë edhe njerëzit tanë. Por le të jetë në rend të ditës që në të ardhmen t’i jepet ky titull edhe Driton Kukës”, tha dekani i Fakultetit të Shkencave Sportive, Musa Selimi.

KALLXO.com e ka transmetuar live mbledhjen e sotme të senatit të UP-së.

Këtu mund ta ndiqni mbledhjen e sotme të senatit.