Foto: MKRS

Vihet guri i themelit të Muzeut të Natyrës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe krerët e Komunës së Fushë-Kosovës, kanë vendosur sot gurin e themelit të Muzeut të Historisë së Natyrës në parkun “Te Pishat” në Sllatinë të Fushë-Kosovës.

Ndërtimi i këtij muzeu shihet si një mundësi për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e koleksioneve të natyrës së Kosovës.

Njëkohësisht ky muze do të jetë edhe  një që do të merret me hulumtimin, studimin e trajnimin për muzeologjik të pasurisë natyrore në vend.

Duke veçuar rëndësinë e ndërtimit të këtij muzeu, kryeparlamentari Kadri Veseli ka potencuar se  ky muze do jetë një pasurim i koleksionit të pasur që ka Kosova duke vendosur këto eksponentë në një vend të përbashkët në projektin afër 2 milionësh të financuar nga Ministria e Kulturës.

“Këto janë vepra të jashtëzakonshme dhe shumë shpejt do ta kemi një nga veprat më të bukura. MKRS nuk është vetëm në pjesën sportive por edhe në pjesën etno -kulturore,  artit dhe muzikës”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka shtuar se ky muze ka për qëllim koleksionimin, ekspozimin dhe arkivimin e mbetjeve të çfarëdo organizmi në standardet më të larta të mundshme për të siguruar ruajtjen dhe të gjitha informatat rreth tyre.

“Ky institucion i ri do të ketë karakter vetëdijësues dhe edukativ për natyrën dhe do të jetë përgjegjës edhe për zhvillimin e hulumtimeve, për interpretimin e rezultateve, për përkrahjen proceseve të shkencës dhe konservimit biologjik”, tha ministri Gashi.

Sipas Gashit, në këtë muze prioritet i theksuar do t’ i jepet koleksionit i cili është në posedim të Muzeut Kombëtar të Kosovës, me 400 eksponate zoologjike (shpezë, gjitarë, amfibe, peshq dhe reptilë), 40 enë qelqi me shtazë në formalinë, 10 vezë të shpendëve, 250 flutura, dhe herbariumi me përafërsisht 180 eksponate.