Vidhet busti në shkollën ‘Atë Shtjefan Gjeçovi’ në Zllakuqan

Mëngjesin e ditës së sotme shkollën “Atë Shtjefan Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës e ka gjetur pa bustin e kësaj shkolle.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Klinës, Arben Limani.

“Sot nuk e kemi gjetë në oborrin e shkollës bustin. Jemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe arsyet i verifikojnë organet e rendit të cilat i kemi lajmëruar menjëherë. Është një akt i shëmtuar dhe i pazakontë sepse nuk ka ndodhë me u vjedhë bust, është një akti i dënueshëm për ne, i ka dhënë një njollë jo të mirë arsimit në komunën tonë”, ka thënë ai.

“Hapat që duhet ne i kemi marrë si institucion, po presim që të zbardhet nga organet e rendit”, tha tutje ai.

Rastin po e heton edhe Policia e Kosovës. Xhevat Ibra, zëdhënës i forcave të rendit për rajonin e Pejës ka thënë se për këtë është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe rasti është nën hetime.

“Është vjedhë një bust në shkollën e fshatit Zllakuqn, rasti është duke u hetuar. Rasti është cilësuar si vjedhje, sipas raportimit të drejtoreshës së shkollës, vjedhja ka ndodhur gjatë vikendit, nuk e dimë saktë se në cilën ditë. Jemi në hetim të rastit, njësitet e kanë kryer vendshiqimin po ashtu edhe Prokurori është i njoftuar”, tha ai.

Për vjedhjen e bustit ka reaguar edhe shkolla “Atë Shtjefan Gjeçovi”.

“Busti i vendosur në oborrin e shkollës sonë mungon. Të vranë për herë të dytë, hajnat për përfitime…. apo kushdo qofshin ata! Nuk vidhet shkolla !!”, thuhet në njoftimin e shkollës.