(VIDEO) Zv.drejtori: Vërshimi i shkollës ‘Ismal Qemali’ rrezikoi nxënësit

Përmbytja nga uji e shkollës fillore në kryeqytet ka mundur të përfundojë në tragjedi për shkak të kontaktit të rrymës me ujin në bodrum.

Shiu i rrëmbyeshëm në kryeqytet sot ka arritur të vërshojë edhe shkollën fillore ‘Ismal Qemali’ në Prishtinë.

Holli kryesor i kësaj shkolle dhe klasat që gjendeshin në bodrum të saj ishin mbushur me ujë duke shkaktuar përveç tjerash rrezik për nxënësit.

Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Bajram Vrapçani tregoi për KALLXO.com se pse ka ndodhur vërshimi.

“Pas rrebeshit të shiut, hollin e shkollës e ka vërshuar uji, sidomos prej anës së epërme nga fusha e sportit dhe bodrumin. Ne konsiderojmë që te hyrja e shkollës është një defekt se na po kemi telashe edhe në shira normale”, tha Vrapçani.

Sipas tij shkolla ka probleme të tilla të vazhdueshme por më shqetësuese është rreziku nga kontakti i ujit me rrymën në bodrum.

“Dëmi më i konsiderueshëm është që fëmijët janë lagur, ne ishim në orë të mësimit dhe filluam që nxënësit që ishin në mësonjtoret e bodrumit t’i largojmë pasi ishte edhe rreziku prej njehësorit elektrik i cili ishte pothuajse tërësisht në ujë”, tha Vrapçani.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot e quajti gjendjen në këtë shkollë si situatë emergjente.

Ai tha se ekipet e komunës kanë dalë në terren dhe sipas tij po merren me dëme.

“Të gjitha ekipet e komunës , të drejtorisë së Shërbimeve Publike e Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren për shkak të vërshimeve në gjithë qytetit. Situata është stabilizuar sa i përket rreshjeve por tash po merremi me dëmet dhe stuatat emergjente sikurse ajo në shkollen Ismail Qemajli”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Megjithatë, Vrapçani tha se punëtorët e kompanisë mirëmbajtëse do të qëndrojnë deri vonë për largimin e ujit nga shkolla.

Ai tregoi se KEDS ka ndërprerë rrymën për shkollën për shkak të rrezikut nga  vërshimet në njehsorët elektrikë.