Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Veselit nuk i shkojnë në takim liderët e partive opozitare

Thirrjes së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për një takim mes krerëve të partive parlamentare për konsensus në procesin e dialogut me Serbinë, i janë përgjigjur vetëm partitë në pushtet.

Këtë e tha vetë Veseli pas takimit.

“Në takimin e sotshëm kanë marr pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës, liderët politik të koalicionit qeveritar”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se kërkesa e sotshme për takim ka qenë më tepër kërkesë e opozitës që u është bërë përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadorit të ShBA-së.

“Përfundimi final i sherreve me Serbinë për hir të fëmijëve, për hir të sakrificës, për ta ruajtur këtë që e kemi tani, për ta ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, agjendën tonë euroatlantike, është edhe obligim dhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik. Mesazhi jonë i cili duhej të dërgonim është mesazhi i unitetit”, theksoi Veseli.

Sipas tij, një pjesë e opozitës ka pranuar të marrë pjesë në dialog.

“Jam shumë i sigurt se do të kemi një unitet të plotë në këtë proces. Qëllimi i takimit ka qenë të krijojmë formatin dhe vijat në të cilat mund të diskutojmë me Serbinë”, shtoi ai.