VIDEO - Vendimi i Gjykatës për personat e dyshuar për shantazh ndaj mjekut gjilanas

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi të premten hulumtimin rreth një rasti shantazhi që po ndodhte në Gjilan.

Dy persona, burrë dhe grua, po e shantazhonin një doktor, duke i kërkuar një shumë prej 5 mijë eurove në këmbim të mospublikimit të një video-incizimi, në të cilën gruaja pretendonte se shihej doktori duke e prekur në vende intime gjatë një kontrolli.

Pasi përdorimi i masave të fshehta funksionoi dhe të dyshuarit u kapën në flagrancë teksa merrnin paratë nga doktori, radha ishte që prokurori Arben Ismajli të përpilonte kërkesën në të cilën do të paraqiste të gjitha provat për të kërkuar paraburgimin e të dyshuarve.

“Gjatë zbatimit të masave të fshehta ditën kritike kemi zënë në flagrancë kryerësit e kësaj vepre. Në vendin e ngjarjes janë arrestuar tre persona, ku për dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë dhe njëri është liruar në procedurë të rregullt. Në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve kemi paraqitur të gjitha provat materiale për të vërtetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën janë dyshuar”, tha Ismajli.

Prokurori Ismajli tregon edhe vendimin e Gjykatës ndaj të dyshuarve.

“Vendimi i Gjykatës, ka qenë që njëri nga të dyshuarve t’i caktojë masën e paraburgimit ndërsa të dyshuarës t’i caktojë masën e arrestit shtëpiak. Ne kemi paraqitur edhe ankesën për vendimin për masën e caktimit të njërit nga të dyshuarit që është një arrest shtëpiak”, tha Ismajli për “Drejtësia në Kosovë”.