VIDEO: Të bësh shkencë në bodrume e salla me myk

Eksperimentin në mësimin për mykun, studentët e Biologjisë në Universitetit të Prishtinës nuk kanë nevojë ta kërkojnë diku tjetër për ta konkretizuar në praktikë.

Atë mund ta gjejnë kudo nëpër muret e objektit në të cilin mësojnë.

Përveç mykut, objekti ka hapësirë të pamjaftueshme, salla të improvizuara, mungesë të ndriçimit dhe mjeteve praktike.

Këto telashe i kanë shtyrë studentët ta bojkotojnë mësimin në semestrin e dytë.

Studentët e këtij fakulteti, drejtues e përfaqësues të UP-së, janë ngritur në protesta disa herë për të kërkuar përcaktimin e lokacionit të ndërtimit të objektit, pasi objekti aktual nuk i përmbush kushtet për zhvillim të studimeve.

Dekani i FShMN, Tahir Arbneshi, ka thënë se kushtet jo të mira që ka ky fakultet kanë shtyrë studentët dhe stafin të bojkotojnë semestrin e dytë.

“Studentët kanë bërë presion të vazhdueshëm për ndërprerjen e mësimit dhe në mbledhjen e fundit të këshillit është vendosë që semestri i dytë të mos fillojë, andaj unë jam në krye të këtij fakulteti dhe jam i obliguar t’i zbatoj vendimet e këshillit, pa marrë parasysh çka mendoj unë. Pra FShMN, semsetrin e dytë nuk e fillon pa bë një zgjidhje adekuate në drejtim të përmirësimit të kushteve”, ka thënë ai.

Profesoresha Ferdije Zhuzhi- Hetemi ka treguar për trashëgimin e këtij problem nga viti në vit dhe injorimin nga organet, të cilët e kanë bllokuar këtë.

Përveç kushteve në të cilat studentët mësojnë në këtë fakultet, ajo ka treguar se si improvizon zyrën e saj në laborator për kryerjen e eksperimenteve.

“Ky problem është me vite të tëra, mirëpo deri tani fatkeqësisht askush nuk e ka trajtuar në mënyrë serioze dhe ne përsëri kthehemi dhe diskutojmë për këtë çështje. Situata është mjaft e rëndë, duke filluar prej sallave të mësimit, numrit të pamjaftueshëm të hapësirave e kryesisht të laboratorëve që është një prej pikave më të forta të fakultetit. Ishte dashtë të jetë për shkak se fakulteti merret me hulumtime, ku duhet të përfshihet pjesa eksperimentale, e cila sot realizohet në mënyrë të pjesërishme apo me përpjekjet maksimale të stafit ku duhet të improvizohet në mënyrë që studentët të shohin edhe në këtë aspekt”, ka treguar ajo.

Rreth 3500 studentë të drejtimeve Matematikë, Biologji, Kimi, Fizikë dhe Gjeografi kanë vendosur që bojkoti i mësimit është rruga e fundit që duhet të ndjekin për të zgjidhur problemin që kanë.

Përfaqësuesja e studentëve të këtij fakulteti, Dafina Sylaj, ka treguar për kushtet dhe për bojkotin e mësimit në fillim të semestrit të dytë.

“Arsyeja pse ne jemi duke bërë zhurmë kohëve të fundit është për shkak të kushteve të tmerrshme në objektin në të cilin ne i vazhdojmë studimet. Së fundmi, Këshilli i Fakultetit ka marrë vendim që të bojkotohet mësimi prej semestrit të ardhshëm për shkak të këtyre kushteve, për shkak të kërkesave që ne i kemi dërgu e na janë injoru”, ka thënë Sylaj.

Komiteti për Politikë dhe Financa në Komunë të Prishtinës në mbledhjen e parë të mbajtur për këtë vit ka dhënë dritën e gjelbër për propozim-vendimin për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm te Fakulteti Teknik, në lagjen Bregu i Diellit.

Ky propozim-vendim pritet të marrë votat e asamblistëve në mbledhjen e Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet të enjten.