Pianist - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Studentët performojnë shkathtësitë e tyre në koncertin pianistik

Studentët e Fakultetit të Arteve të UP-së, Dega e Muzikës, klasa e profesoreshës Valbona Pula- Petrovci kanë mbajtur të mërkurën (22 maj 2019) në mbrëmje në sallën e këtij Fakulteti koncertin pianistik me vepra të autorëve të njohur botërorë.

Ky koncert është i pesti i mbajtur nga studentët e profesoreshës Pula –Petrovci në qytete të ndryshme dhe realizohen në kuadër të projektit “Kolazhi i koncerteve pianistike”.

Për profesoreshën Valbona Pula- Petrovci, ky koncert realizohet në kuadër të projektit “Kolazhi i koncerteve pianistike” me c’ rast studentët kanë pasur rastin të performojnë në disa qytete, Pejë, Prizren, Tetovë dhe Tiranë.

“Ka qenë një përvojë e mirë për ta. Sonte vazhdojmë koncert këtu në Prishtinë dhe përfundojmë në Gjakovë më datën 24 maj. Ka qenë një rasti i mirë që studentët të sfidohen më shpesh me skenën dhe njëkohësisht të njihem me ata të Tetovës dhe Tiranës”, tha profesoresha Pula- Petrovci.

Pianiste – Foto: KALLXO.com

Absolventja Emi Çerkini ka hapur koncertin me veprën e “Prelde Op.3.no. 2”, të Rachmaninoff. Ky prezantim në skenë sipas saj ndihmon në shumë aspekte.

“Koncertet e shpeshta janë shumë të mirëseardhura në shumë aspekte, duke filluar nga përvoja e skenës dhe paraqitja në audiencë e deri te perfeksionimi i të interpretuarit të një vepre”, ka thënë ajo për KALLXO.com pas koncertit.

Pas saj, Bimi Milla, student i vitit të 3-të ka interpretuar veprën  “Sonata Op. 111.ne. 32”, koha e parë të L.V. Bethoven.

“Këto paraqitje skenike neve si instrumentist na provon me emocione të mrekullueshme, dhe po ashtu është një përvojë e cila neve si brezi i ardhshëm do na mbetet një kujtim mbresëlënës në CV tonë”, ka potencuar ai, pas koncertit, për Kallxo.com.

Etrita Hasani, studente e vitin e 4-të, drejtimi Piano- instrumental, ka interpretuar veprën e F. Chopinit, “Fantasisie- Impromptu inC  sharp minor, Op. 66”.

Ajo ka thënë për KALLXO.com, se koncertet e mbajtura u mundësojnë studentëve përvojë të menaxhimit të vetvetes para publikut.

“Këto koncerte na kanë mundësuar të shfaqim sadopak punën e madhe që bëhet gjatë studimeve”, ka thënë pianistja Etrita Hasani.

Ndërsa Arbëresha Shehu, studente e vitit të 3-të dega e muzikës ka interpretuar veprën “Dumka, Op.59” të Tchaikovsky-it.

Elza Mehmeti, studente e vitit e 3-të të studimeve, ka interpretuar veprën “Die Nussknacker Suite” të P.I. Tschaikowskiit.

“Për ne gjithmonë është një ndjenjë dhe kënaqësi e veçantë të jemi pjesë e këtyre koncerteve. Edhe pse është emocion është një privilegj i madh”, ka thënë ajo pas koncertit.

Studentja e viti të I-rë, Anila Aliu, interpretoi veprën e S. Rachmaninov, ‘Prelud Op. 23, no.7” dhe “Magaguena fron Suite Andalucia” të E. Lecuona.

Organizimi i këtyre koncerteve, sipas saj është i mirëseardhur për studentët.

“Po kemi mundësi më të shpeshta për të performuar në skena te ndryshme dhe para publikut të ndryshëm, janë përvojë, eksperience dhe mbi të gjitha kënaqësi për ne pianistet e rinj”, është shprehur ajo pas koncerti.

Gent Kumnova, student i vitit të parë- Master, ka interpretuar i fundit me veprën “Ballade op. 23, no.1” të F. Chopin

“Këto koncerte janë shumë të domosdoshme për të shfaqur një pjesë të punës gjatë muajve si dhe të ballafaqohemi me skenën si pianist performues”, ka pohuar Kumnova pas koncertit për Kallxo.com.

Studentët e klasës së profesoreshës Valbona Pula -Petrovci do të ketë edhe një koncert në Gjakovë më 24 maj në kuadër të projektit “Kolazhi i koncerteve pianistike”.

Qëllimi i koncerti të mbajtur të më 22 maj 2019, por edhe koncerteve tjera, sipas profesoreshës Pula- Petrovci,  është që tu mundësohet studentëve dalja në skenë sa më shumë.

“Pavarësisht sa ushtrojnë skena është një storie në vete dhe sfidë e veçantë, prandaj studentët duhet të sfidohen sa më shpesh në skenë për me u ballafaquar dhe të dinë të menaxhojnë edhe emocionin”, ka thënë ajo për Kallxo.com, pas koncertit të së mërkurës mbrëma.