VIDEO - Studentët fitojnë rastet ndaj Kolegjeve Private për borxhet e parashkruara

Dhjetëra studentë e ish studentë të kolegjeve private janë dërguar tek përmbaruesit me obligimin që të paguajnë këstet e studimeve të viteve 2010-të e tutje.

KALLXO.com zbulon se një pjesë e madhe e këtyre borxheve janë të parashkruara dhe procedurat e përmbarimit nëse kontestohen në gjykatë do jenë në favor të studentëve.

Avokati Gazmend Ismajli me autorizimin e gazetarit Behar Mustafa ka ngritur një çështje ndaj kolegjit Univerzum. Ankesa është miratuar nga shkalla e parë e gjykatës.

“Është një rast ku ka qenë në Kolegjin Universum në studime, i njëjti ka nënshkruar kontratë dhe ka krijuar raporte juridike me Kolegjin Universum në vitin 2012. Dhe të njëjtit tek në vitin 2018, iu ka ra ndërmend se Behar Mustafa i paska ndërprerë studimet dhe kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore dhe kanë iniciuar procedurë përmbarimore. Pas angazhimit tim si avokat, kemi parashtruar prapësimin në afatin ligjorë, në rastin konkret jemi thirrë në atë që studenti ka pasur të drejtën me i ndërpre studimet.”, tha avokati Ismajli.

Të drejtën në shkallë të parë të gjykatës e ka fituar edhe Shaban Bajrami.

“Në 2018 me datë 15.08. më ka ardhur lënda prej përmbaruesit, në të cilin janë kërkuar të gjitha pagesat edhe ato të paqena, pa marrë kurrfarë shërbimi prej tyre kanë kërkuar të bëhen pagesat. Në bazë të kërkesës përmbarimore, kanë kërkuar 8 për qind kamatë vjetore për secilën, që shkojke diku te 2 mijë e diçka euro. Afërsisht më bëhej pagesa komplet e studimeve.”, thotë Bajrami.

Ai tregon se ishte drejtuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ku ishte vendosur se Kolegji Universum nuk mund të kërkonte borxhin.

Studenti tjetër Sadik Arifi, ish-student i Kolegjit ISPE ka inicuar procedurë në gjykatë pasi është dërguar në përmbarim për borxhin që pretendon se nuk është i tij.

“Përmbaruesi nuk më ka njoftuar, ata thirrën që më kanë njoftuar përmes postës, kanë dërguar letrën në postë, herën e dytë thonë që e kanë lënë në derë të shtëpisë por s’ka qenë askush. Por në fakt unë s’kam pranuar asgjë, kam shkuar edhe në postë, nuk ka diçka që ka ardhur në adresë timen. Mandej kam bërë prapësimin sepse kam marrë vesh tek kur mu ka blloku në janar xhirollogaria. Kam bërë prapësimin dhe kërkesën me ra në pikën zero komplet procesi.”, shtoi ish-studenti.

 Pretendimet e Kolegjeve

Kolegji Universum në një përgjigje për KALLXO.com ka pranuar se ka dërguar studentë në përmbarim ndërsa thonë se ata kanë të drejtë t’i kontestojnë vendimet e përmbaruesve në gjykatë.

Sipas këtij kolegji, studentët që janë dërguar tek përmbaruesi, janë gjenerata më të vjetra, të cilët i kanë ndjekur studimet për tri vite dhe kanë marrë pjesë në afate të rregullta të provimeve.

Studentëve u mundësohet ri-financimi i borxhit apo zgjatja e kohës për pagesë, për të përmbushur obligimet financiare, deklaron tutje Kolegji Universum.

“Nuk kemi dërguar në përmbarim nëse studenti nuk ka marrë shërbimet, duke u bazuar në dëshmi, përndryshe, çdo student që mendon se ju është bërë e padrejtë, mund të dërgoj lëndën në Gjykatë. Përmbarimi nuk është diçka e dëshirueshme as nga ne si Institucion. Mos shkëputja e kontratës në mënyrë ligjore nga ana e studentit, duke mos respektuar procedurat e shkëputjes të kontratës, sjell implikime ligjore dhe financiare për ne si Institucion.”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kolegjin ISPE ata kanë sugjeruar që për çështjen t’i drejtohemi përmbaruesit Flamur Bogaj. Ky i fundit i ka thënë KALLXO.com se nuk prononcohet për këtë çështje.

Procedurat

Rregullativa ligjore në Kosovë flet për parashkrimin e borxheve në rast se ato nuk kërkohen me kohë.

Sipas të drejtës civile nëse borxhi nuk është faturuar dhe kërkuar brenda një viti kalendarik, ai llogaritet si i parashkruar.

Këtë mendim e ndanë edhe Avokati i Popullit Hilmi Jashari.

“Afati i parashkrimit, zakonisht në Ligjin për Marrëdhënie Detyrimeve është tre vjeçar, nga momenti kur është krijuar detyrimi edhe nëse institucioni apo në këtë rast kolegji nuk ka kërkuar inkasimin e borxhit, ajo konsiderohet që është parashkruar edhe realisht është parim bazë i marrëdhënieve detyrimore.”, përfundoi Avokati i Popullit.

Sipas kësaj logjike borxhet që në procedurë nuk janë kërkuar brenda një viti, nuk mund të inkasohen.