VIDEO - Sigurimi në gjumë, pacienti vulos dokumentet me vulën e doktorit

Një qytetar ka përcjellë në KALLXO.com të filmuar tërë procesin gjatë të cilit ai është futur në zyrën e doktorit kujdestar Musa Halilajt në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë dhe aty ka vulosur raportet mjekësore i papenguar nga askush.

Ai madje ka filmuar Qendrën por e ka takuar vetëm sigurimin e qendrës që flinte mbi krevatin e pacientëve ndërsa nga vula e mjekut mbi tavolinë ka kuptuar se në atë ndërrim ka qenë dr. Musa Halilaj.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës tha se për ata është shqetësuese mosprezenca e mjekut kujdestar në vendin e punës gjatë orarit.

“Komuna e Gjakovës, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që drejtori i QKMF-së, Mjeku kujdestar si dhe personat tjerë përgjegjës lidhur me rastin t’i nënshtrohen Komisionit disiplinor për marrjen e masave ndëshkimore në harmoni me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas Komunës, ngjarja ka ndodhur më 23 qershor ndërsa doktori Musa Halilaj refuzoi të japë detaje për mosprezencën e tij. Përmes një porosie telefonike ai tha se me këtë çështje do të merret menaxhmenti.

“E gjitha është sqaruar nga menaxhmenti i QKMF dhe Departamenti i Shëndetësisë në Gjakovë, prej aty mund të merrni çdo informatë”, tha Halilaj.

Ai është deklaruar se ka pasur mundësi të ketë qenë në terren për shkak të ndonjë aksidenti.