VIDEO - Siguria e ushqimit që hanë ushtarët e FSK-së para ushtrimit fushor

Në “Ditën D”, më 4 maj 2018 të gjitha njësitë janë vendosur në kampin fushor në Koliq. Para se të fillojnë ngrënien e një vakti, secili nga ushtarët lanë duart dhe vendos kapelën.

Pastaj verifikohet pastërtia hapësirës së kuzhinës dhe vendit të ngrënies në përgjithësi. Vërtetohet se a janë duke i mbajtur dorezat dhe kapelat për ta mbrojtur ushqimin nga qimet, bakteret dhe sëmundjet.

Po ashtu i kushtohet rëndësi temperaturës së ushqimeve. Janë përdorur dy kontrolle për siguri të ushqimit. Njëra për të matur temperaturën dhe tjetra për t’u siguruar se ushqimi nuk është jashtë kufijve të temperaturës për më shumë se katër orë. Pastaj kontrollohen datat e skadimit dhe sigurohen që paketimet të mos jenë të dëmtuara.

Më pas i vjen radha edhe inspektimit të hapësirave të ngrënies. Kontrollohet pastërtia në përgjithësi dhe kërkohet nga pjesëtarët që pasi të kryejnë bukën të pastrojnë hapësirat e tyre që mos të tërhiqen insekte dhe brejtës.

Paraprakisht është përgatitur tereni, perimetri është siguruar nga policia ushtarake dhe situata mbahet nën kontroll me patrullime sipas planit operativ.

Po ashtu janë vendosur tendat për akomodim të secilit njësit për shtabin e komandës fushore, për qendrën operative, për komunikim, spitali fushor, vendosja e njësive përkrahëse të Policisë, të Kryqit të Kuq, depot e armatimeve, hapësira higjienike dhe kuzhina.

Që nga muaji shkurt i vitit 2017, pas tetë takimeve ndërkombëtare me shtetet aleate dhe me komandat e tyre ushtarake, Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të zhvilluar ushtrimin fushor të quajtur “Shqiponja 6”.

Ky ushtrim është vazhdimësi e operacioneve të viteve të kaluara dhe ka për qëllim adresimin dhe avancimin e mëtejmë të nevojave teknike dhe taktike të FSK-së të cilat janë identifikuar më herët.

I tërë procesi është kryer në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s. Përpos trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” janë edhe efektivët ushtarak nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.