VIDEO - Si është gjendja e fëmijëve të rikthyer nga Siria?

Sonte në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tregon për gjenden e të rikthyerve.

“Duhet të them se ditën e parë, gjendja e tyre ka qenë mjaft e rëndë kryesisht për shkak të kushteve të vështira higjienike, të jo ushqyer dhe kanë qenë në gjendje mjaft të rëndë por me trajtimin e tyre në Qendrën e Azilit në Vranidoll, brenda disa ditëve gjendja e tyre është përmirësuar dukshëm”, tha Makolli.

Ai shtoi se janë organizuar plane të veçanta për trajtimin e fëmijëve.

“Vlen të theksohet se psikologët e ekipet profesionale i kanë trajtuar fëmijët dhe kanë organizuar programe të veçanta për ta deri sa kanë qenë në Qendrën e Azilit”, tha Makolli.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovar të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.

Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të rikthyera.

Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.