Foto: Zyra e Presidentit

VIDEO - Shpend Ahmeti kundër deklaratave të Thaçit për ‘korrigjim të lehtë’

Bashëkryesuesi i delegacionit shtetëror të Kosovës për negociata me Serbinë, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti në intervistë për emisionin Argument Plus në TV21, ka paralajmëruar se platforma për dialogun do të dorëzohet të martën  në Kuvend të Kosovës. Ahmeti ka folur edhe për korrigjimin e kufijve, duke thënë se ata janë të pandryshueshëm.

“Tashmë jemi në fazën kur duhet t’i dorëzojmë disa pozicione të shkruara sepse thonë se nuk kanë marrë nga pala kosovare asgjë si të shkruara për tema të caktuara dhe poashtu i kemi informuar, sepse janë tepër të interesuar, për platformën, e cila duhet të dorëzohet në Kuvend, besoj të martën e javës së ardhshme”, tha Ahmeti.

“Besojmë se kjo do të hapë një diskutim në mënyrë që ne ta kalojmë atë platformë e cila neve na mandaton edhe më shumë për kufijtë të temave të cilave mund të flasim, për vijat e kuqe, dhe për temat të cilat ekipi negociator duhet t’i ngritë në Bruksel”, shtoi ai.

Ai tha se kjo do të jetë platformë e cila nuk pranon ndryshimin e kufijve ekzistues dhe nuk pranon shkallë të tretë të pushtetit.

Ahmeti komentoi edehe deklaratën e fundit të Presidentit Thaçi në favor të një “korrigjimi të lehtë të kufijve”.

“Nuk e kuptoj pse Presidenti Thaçi e zgjedh Uashingtonin për të treguar gjëra të tilla. Mendoj që së pari duhet ta bëjë në Kosovë këtë punë. E dyta, unë nuk e kuptoj sepse e kam dëgju tashmë tre-katër herë duke folë për korrigjim, ndryshim, shkëmbim, korrigjim i lehtë, bashkangjitje të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Unë nuk e kuptoj se cili është propozimi”, tha Ahmeti.