Foto: Kallxo.com

VIDEO – Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve në rastin ‘Kombëtarja e Izraelit’

Tetë të akuzuar u dënuan me 35,5 vjet burg ndërsa njëri prej tyre u gjobit në gjykimin për rastin e përgatitjes së sulmit terrorist ndaj kombëtares së izraelit në futboll.

Visar Ibishi është dënuar me 10 vjet burg dhe 1,800 euro gjobë, Burim Istrefi është dënuar me 3 vjet burg, Leutrim Vojvoda me 5 vjet, Flamur Gashi me 5 vjet, Kenan Plakaj me 1 vjet e gjashtë muaj dhe 1,800 euro, Arton Ahmeti me 1 vjet e 6 muaj, Lulzim Gashi me 6 vjet burg, Leutrim Musliu me 3 vjet e 6 muaj, Besart Peci me 2,500 euro gjobë.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkonte të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet)me dashje kanë pranuar thirrjen e Lavdrim Muhaxherit, ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS, për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Kryetari i trupit gjykues në rastin e të akuzuarve për përgatitje të sulmit terrorist ndaj kombëtares së Izraelit në futboll, Hamdi Ibrahimi, e arsyetoi vendimin me të cilin gjykata i ka shpallur sot fajtorë të nëntë të akuzuarit për këtë rast.

“Ky aktgjykim është në emër të popullit dhe veprimet për të cilat të akuzuarit u shpallën fajtorë janë fuqishëm të papranueshme për Kosovën”, tha Ibrahimi gjatë leximit të aktgjykimit.

“Një i akuzuar këtu ka thënë se po ndiqet vetëm për shkak se është i besimit musliman por ne që dimë sado pak nga kjo fe e dimë që asnjë fe e as islami nuk predikon, nxitë apo thërret për kryerjen e veprave për të cilat akuzohen”, tha Ibrahimi.