VIDEO: Shkolla në Pejë ndalon përdorimin e telefonave gjatë mësimit

Shkolla e Mjekësisë në Pejë ka marrë vendim që mos ta lejojë përdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor.

Sipas mësimdhënësve, përdorimi i telefonave ka ndikuar negativisht në procesin e mësimit prandaj është parë e domosdoshme të ndërmerren masa.

Profesoresha e Kimisë, Sanije Rexhepi, thotë që kur ka hyrë në fuqi rregulla e re, ora e saj është shumë më efektive.

“Është parë e udhës që ora të jetë komplet e përqendruar në aspektin shkencor. Teknika e ka bërë të veten, secili fëmijë për nevoja e qejfe e ka përdorë telefonin. Kjo gjë ka ndiku në mësim sepse në rastin konkret për lëndën e kimisë kam pasë nevojë që nxënësi të ketë përqëndrim në tabelë, kam pasë shpjegime në kuadër të reaksioneve që ai është dashtë me shënu, në këtë rast atij i ka pengu telefoni”, tha Rexhepi.

Nga ana tjetër drejtori i shkollës Artan Demaj tha se kjo ka qenë një nevojë e kahmotshme. Sipas tij, metodat e përdorura më herët për ta adresuar këtë situatë nuk kanë qenë aq efektive.

“Kjo ide ka lindë duke parë mangësitë e mësimnxënies në shkollën tonë, duke parë efektet e përdorimit të telefonave. Ne e kemi diskutuar me këshillin e arsimtarëve dhe nxënësve mandej edhe me atë të prindërve. Vitin e kaluar me daljen në objektin e ri shkollor kemi praktikuar dorëzimin e telefonave nga vetë nxënësit por nuk ka qenë efektive. Në mbledhjen e këshillit të shkollës kemi marrë këtë hap që e kemi realizuar. Kemi menduar që telefonat të vendosen në korridore, e kemi pa që bëhet tollovi, kemi bisedu dhe kemi ardhë në përfundim që këto sirtare të vendosen nëpër klasë”, tha ai.

Demaj tha se mos përdorimi i telefonave gjatë procesit mësimor vlen edhe për profesorët ndërsa për çfarëdo rasti të jashtëzakonshëm prindërit dhe nxënësit mund të kontaktojnë përmes telefonit të shkollës.

Kryetari i Këshillit të Nxënësve të Shkollës së Mjekësisë, Dukagjin Morina tha se rutina është bërë e pranueshme për të gjithë nxënësit dhe tashmë ata e dinë se duhet t’i dorëzojnë telefonat në sirtarë.

Ai tregon se si funksionon e gjithë kjo.

“Me hyrjen e nxënësit në klasë qysh në orën e parë menjëherë te dera e dorëzon telefonin te kujdestarët e javës. Ata e bëjnë hapjen dhe secili nxënës e ka numrin e vet si e vendos në bazë të numrit të ditarit. Në fund të procesit mësimor, kujdestari i javës e hap derën dhe studentët i marrin telefonat”, thotë ai.

Përdorimi i telefonave ka shkaktuar probleme të mëdha nëpër shkolla.

Kallxo.com ka raportuar gjatë kohës së monitorimit të testit të maturës në gjenerata të ndryshme se përmes telefonave po bëhej shpërndarja e pyetjeve.

Edhe profesorët e Shkollës së Mjekësisë në Pejë thonë se më herët ka pasur tentativa për shpërndarje të testit nëpër klasë tjera duke përdorur telefonat.