Foto: Kallxo.com

VIDEO - Shembet dheu në Prishtinë, ndërpritet mësimi në një shkollë

Mbrëmë është shembur dheu në një pjesë të rrugës “Qamile Jaka” në kryeqytet e si pasojë sot është ndërprerë mësimi në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’.

Shkaktar i gjithë kësaj sipas drejtorit komunal të Inspeksionit, Adonis Tahiri, mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.

“Sipas informatave që kemi deri tash shkaktar për ketë çështje ka mundur të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit që është në ketë pjesë të rrugës, pra jo brenda vend punishtes dhe si pasojë nuk kanë mjaftuar pilotet që janë vendosur në vend punishte që ta ndalin rrëshqitjen e dheu për shkak se ka pasur rrjedhje të vazhdueshme të ujit”, tha ai.

Foto: Kallxo.com

Tahiri thotë së duke u bazuar në inspektimet e bëra në terren, pilotet që janë të vendosur në vend punishten që ndodhet në skaj të rrugës janë sipas rregullave të ndërtimit.

“Kompania e ka pasur lejen e punës, pilotet janë të vendosur ashtu siç parashihet në lejen ndërtimore mirëpo për çdo rast hetuesia e Policisë se Kosovës ka qenë dhe është këtu që nga mëngjesi dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm me ta për të parë gjithë masat që mund t’i ndërmarrim bashkë”, u shpreh Tahiri.

Foto: Kallxo.com

Për shkak të shembjes së dheut në ketë pjesë të rrugës, shkolla fillore ‘Naim Frashëri’ e cila gjendet pak metra larg ka ndërprerë mësimin.

“Kemi diskutuar me Policinë e Kosovës dhe kemi pasur sugjerim që të largohen nxënësit jo pse ka rrezik të shembjes se dheut në pjesën e shkollës mirëpo derisa të stabilizohet e gjithë kjo pjesë që mos t’i lemë nxënësit të mbajnë mësimin dhe që shkolla te jetë e zbrazet”, deklaroi ai.

Gjithashtu, bëhet e ditur se banorët e kësaj lagje kanë mbetur pa ujë dhe pa rrymë.

Foto: Kallxo.com