Largimi i barrikadës dhe breshëritë e plumbave, Foto: Kallxo.com

Pamje: Ushtria e Kosovës demostron forcën në rast sulmi

Gjatë ditës së tretë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, pjesëtarët e FSK-së së bashku me ushtarët turq ballafaqohen me një barrikadë në rrugë dhe me disa qytetarë që tregohen miqësorë.

Këmbësoria e FSK-së dhe ushtarët turq arrijnë në vendin e ngjarjes për ta larguar barrikadën. Por posa të kalohet barrikada situata e qetë ndryshon menjëherë.

Kolona, pa kurrfarë paralajmërimi e gjen vetën në një pritë me breshëri plumbash. Formacionet terroriste janë pozicionuar në lokacione që iu japin përparësi të fuqishëm zjarri.

Vetëm se i kanë respektuar saktë procedurat standarde operacionale, ushtarët e ‘Shqiponja 6’, së pari e kanë siguruar perimetrin, prandaj kanë qenë edhe në gjendje që menjëherë t’i sinkronizojnë lëvizjet dhe drejtimin e zjarrit si kundërpërgjigje. Në këto situata koordinimi është shumë i rëndësishëm.

Nuk merr shumë kohë dhe rruga hapet dhe ushtarët mund të vazhdojnë rrugën për aty ku është lajmëruar se kanë nevojë për evakuim të disa qytetarëve.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Ky është episodi i tretë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.