Foto: Atdhe Mulla

VIDEO - Ramush Haradinaj e Quan Blerim Rexhën ‘Hajn Ordiner’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpërthyer në akuza ndaj ish kreut të Bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Blerim Rexha.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur për shkak të përjashtimit të kësaj agjencie nga Rregjistri Europian i Cilësisë (EQAR), Haradinaj e arsyetoi vendimin për shkarkim të bordit të drejtuar nga Rexha.

“Blerim Rexha është një hajn ordiner. Pse është hajn ordiner Blerim Rexha po ju tregoj unë. USAID është tërheqë prej Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe klanë thënë se sa të jenë ky njeri në bord nuk rrimë në bord sepse është i korruptuar”, tha Haradinaj.

“Sherri është krejt te shkarkimi i Agjencisë së Akreditimit. Po duket se ka qenë më kijamet sesa mu shpërnda ky parlament fakti se u shkarku ajo agjenci. Nuk janë shkarku ata njerëz pse i kanë emrat ky apo si, as pse disa janë të Kosovës apo të huaj. Nuk janë shkarku pse janë të një partie apo për inati të asaj partie. Janë shkarku sepse ju kam dëgju juve të të gjitha partive, bash gjithkënd, edhe të partisë në pushtet, duke u anku për gjendjen në arsim të lartë”, shtoi ai.

“Nuk ka pasë njeri të gjallë mbi këtë dhé që nuk i ka dhënë vetes të drejtë me tregu sa keq e kemi gjendjen në arsim. Por mos i mundoni e mos i torturoni fëmijët e Kosovës, studentët, sepse ne llogaritë politike i lajmë, këtu jemi, kemi m’i la gjithë jetën”, u shpreh Haradinaj.

“Nëse dojmë të bëjmë lojëra dyftyrëshe, i bëjmë bashkë ksh të doni e kur të doni. Ju kam thënë edhe më herët, nuk i kam dy ftyra, një e kam”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të marrë një prononcim nga Blerim Rexha për akuzat që i ka bërë kryeministri Haradinaj por ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment të menjëhershëm.