Edi Rama duke folur në Kuvendin e Shqipërisë më 28 shtator 2017. Foto: Malton Dibra/LSA

Video: Rama Uron Daljen Faqebardhë nga Vërshimet

Mëngjesin e sotëm Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi në Facebook një video ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë ndërhyjnë për të evakuuar të prekurit nga vërshimet.

Në video shihet evakuimi me helikopter i personave të bllokuar nga reshjet që po zgjasin prej 48 orësh.

Rama në fjalët që shoqërojnë publikimin e videos në Facebook uron që vendi të dalë faqebardhë nga përballja me ujin.

“Me këtë imazh krenarie kombëtare për Forcat e Armatosura, uroj që t’ia dalim faqebardhë deri në fund përballimit të një situate tejet kritike si kjo që po kalojmë”, shkroi Rama.

Edhe disa objekte të trashëgimisë kulturore në Shqipëri po rrezikohen nga vërshimet.

Sot në orën 6 të mëngjesit 34 pjesëtarë nga njësitë e zjarrfikjes dhe shpëtimit nga Kosova janë nisur drejt Shqipërisë për të ndihmuar në përballimin e situatës së atjeshme.