(VIDEO )Pse nuk u hetuan nga Prokuroria paratë e grupit të drogës?

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ ka transmetuar hulumtimin i cili ka ngjallur dyshime se një lëndë e dyshimtë për shpërlaje parash dhe transaksione të miliona eurove nga Skenderaj për në bankat e Turqisë është lënë në harresë dhe nuk është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.

Hulumtimi zbardhi prapaskenat e rastit që për më shumë se dy vite nuk u hetua nga Prokuroria e Mitrovicës.

Miliona euro kanë qarkulluar nga kontoja e një biznesi nga Skenderaj. Të dhënat janë siguruar rastësisht gjatë një hetimi financiar për një grup të dyshuar për transport droge.

Për ta sqaruar situatën, ekipi i DnK-së kishte tentuar të flasë me njërin nga të akuzuarit, Valon Malajn, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Avokati i tij Vehbi Beqiri nuk di gjë për transaksionet ndërsa fokusohet te rasti i drogës.

“Sipas aktakuzës të Prokurorisë themelore të Mitrovicës për dy vepra penale posedim shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje”, tha Beqiri i cili ka shtuar se nuk di gjë për hetimin financiare.

“Unë nuk i kam pa dhe nuk jam në dijeni për qarkullimin bankar të akuzuarit Valon Malaj, ai në rastin që unë e përfaqësoj nuk ka të bëjë më të dhëna financiare” theksoi Beqiri.

Edhe dy avokatët e tjerë të angazhuar për rastin e drogës – Fatmire Braha që mbron policin Shemsedin Geci dhe Mahmut Halimi që mbron Adnan Gërxhaliun – nuk dinë gjë për paratë të cilat qarkulluan nga Skenderaj për në Turqi.

Mirëpo, pas interesimit të emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, prokurori Njazi Rexha ka konfirmuar se ka kërkuar një hetim të ri financiar për këto pretendime.